Lajme

Greqia hap plazhet më 15 maj, por me masa kufizuese


Të shtunën e 15 majit, Greqia do të çelë siparin e sezonit turistik. Plazhet e organizuara do të rihapen, por me masa të rrepta shëndetësore.

Distanca minimale midis boshteve të çadrave të diellit duhet të jetë 4 metra.

Gjithashtu lejohen deri në dy shezlonge për çadër, me përjashtim të familjeve me fëmijë të mitur.

Distanca minimale midis dy shezlongeve të vendosur në çadra të ndryshme është vendosur në 1.5 metra.

Distanca minimale midis klientëve në radhë për t’u shërbyer është vendosur të jetë 1.5 metra.

Punonjësit e shërbimit rekomandohen me forcë të mbajnë maska.

Personeli, te plazhet e organizuara, është i detyruar të dezinfektojë shezlonget dhe karriget e diellit pas largimit të çdo klienti. Ata gjithashtu janë të detyruar të dezinfektojnë rregullisht pajisjet sanitare, duke postuar një program përkatës, i cili do të tregohet në rast të inspektimit.

Klienti ka përgjegjësi të vendosë një peshqir në shezlong, për të evituar kontaktin direkt me shtresën e poshtme.

Ndalohet muzika e lartë dhe grumbullimet

Duhet të kihet parasysh, shkruhet në mediat greke, se për të mbrojtur shëndetin publik, është e nevojshme të respektohen distancat e nevojshme në plazhe, të shmangen tubimet dhe të respektohen të gjitha rregullat e higjienës.

Duke shpjeguar ndalimin e muzikës, sekretari i Përgjithshëm grek i Tregtisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Panagiotis Stamboulidis, tha se raportet e ekspertëve kanë treguar që zhurma e ambientit mund të kontribuojë në përhapjen e virusit. Kjo sepse klientët ngrenë zërin teksa flasin, përhapin më shumë grimca në ajër dhe afrohen njëri me tjetrin që të komunikojnë.

Përshtatur nga Greek City Times për Albanian Post 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore