Lajme

Grenell: Thaçi e Vuçiçi ishin afër të nënshkruanin zhbërjen e Gjykatës Speciale


Richard Grenell

Richard Grenell, ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, tha se në kohën kur dialogu Kosovë-Serbi ishte ‘zhvendosur’ në Uashington, për pak sa nuk e kishte realizuar qëllimin për zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës.

Në një intervistë për “Top Channel“, diplomati amerikan theksoi se kishte arritur ta bind ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të heqin dorë nga gjykatat ndërkombëtare dhe t’i sjellin proceset gjyqësore për krime lufte në vendet respektive.

“Të dy ata arrita t’i bind që të binin dakord dhe të hiqnin gjykatën ndërkombëtare në Hagë. Nuk e di nëse e dini këtë histori. Ajo që bëra në negociata ishte të arrija t’i bindja që ta hiqnin gjykatën ndërkombëtare dhe t’i sjellin sistemet gjyqësore në vendet e tyre dhe ne do ta nënshkruanim këtë si pjesë të marrëveshjes”, tha ai.

Grenell megjithatë pohoi se kishte gabuar fatalisht në një moment të caktuar.

“Mendoj se bëra një gabim që i tregova Departamentit të Drejtësisë për këtë çështje – një zotëriu të quajtur Bruce Swartz – që të dyja palët kishin rënë dakord për ta bërë këtë gjë. Reagimi i tij ishte shumë i errët. Ai tha: ‘S’e di nëse mund ta bëjmë këtë gjë sepse kemi prokurorët amerikanë në Hagë, të cilët po punojnë për këtë çështje’”.

“Unë i thash: ‘Bruce, shiko… Ne kemi punuar për këtë qe 20 vjet… Prokurori i mëparshëm i pa provat dhe tha se ‘nuk ka gjë dhe po e lë këtë detyrë, po merrem me diçka tjetër, nuk ka më aktakuza për të ndjekur…’”, shtoi Grenell.

Që nga momenti kur Departamenti i Drejtësisë në SHBA emëroi Jack Smith-in si këshilltarin special për ta hetuar ish-presidentin, Donald Trump, ka pasur dhjetëra kontekstualizime të trashëgimisë së tij gjatë kohës sa drejtonte zyrën e Prokurorisë Speciale në Hagë ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Grenell vazhdimisht ka deklaruar se aktakuza ndaj ish-presidenti Thaçi – në qershor të vitit 2020 – ishte ngritur vetëm që t’ia pamundësonin atij takimin me ish-presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një “marrëveshje finale” me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore