Lajme

Gratë e dhunuara, përballë heshtjes dhe pamundësisë për të reaguar


“Bashkë me vajzat, Lida u largua në mes të natës me rrobat e gjumit. Kur mbërriti në strehëzën e kësaj organizate nuk mundej as të fliste… Atë natë, Ai (burri) e kishte goditur disa herë. Qanin që të tria kur mbërritën te ne”, tregon Mirela Gjoni, psikologe e Forumit të Gruas Elbasan.

Rrjeti i Fuqizimit të Grave Shqiptare (AWEN) është një nismë e tetë organizatave jofitimprurëse, që fokusohen në mbrojtjen dhe fuqizimin e gruas. Në platformën e tij, ky rrjet ndan ndër të tjera dhe shumë histori.

Një prej historive të treguara, është dhe ajo e Lidës. Mes frikës dhe dhunës, ajo gjeti forcën për të denoncuar dhe rrëfyer historinë e saj.

Psikologia rrëfen për AWEN-in se, “shumica e grave që vijnë e kërkojnë ndihmë, e durojnë dhunën për vite të tëra e nuk gjejnë forcë për të kundërshtuar”.

Ndërkohë, punonjësja sociale e kësaj organizate që është pjesë e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), Dhoksi Gjoka, shpjegon se “vetëm kur ndodh diçka shumë e rëndë, këto gra vendosin t’i japin fund dhunës dhe ta denoncojnë atë”.

Sikurse dëshmohet “atë natë kur Lidia u largua, diçka shumë e rëndë kishte ndodhur”.

Punonjësja sociale për AWEN-in thotë se i shoqi i Lidës, përpos dhunës psikologjike, ushtronte dhe dhunë seksuale, madje edhe në prani të fëmijëve, tanimë të rritur.

“Në atë dhomë të vogël ku jetonin gati në skamje të katërt, ai e kishte përdhunuar disa herë, por këtë Lida do ta pranonte shumë vonë”, rrëfen Gjoka për AWEN.

Dhuna në Shqipëri

Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15 deri në 74 vjeç, në Shqipëri, kanë përjetuar një nga llojet e dhunës gjatë gjithë jetës së tyre.

Ky është vrojtimi i fundit i publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) në vitin 2018.

Sipas raportit, më e zakonshme është dhuna në një lidhje dashurie. Më pas, ajo nga partneri intim apo ngacmimet seksuale.

Gratë, të cilat kanë përjetuar dhunë në një lidhje dashurie, pohojnë se kanë përjetuar sjellje kontrolluese shtrënguese.

Ato dëshmojnë se janë kontrolluar gjatë gjithë kohës, duke u kufizuar në veprimtarinë e tyre. Ndërkohë që, gjysma e grave të anketuara nga INSTAT thonë se kanë përjetuar dhunë psikologjike.

Dhuna ndaj grave “është një problem social që i ka rrënjët në qëndrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënieve martesore”, sipas raportit.

Viktimizimi i grave nga bashkëshortët e tyre përforcohet nga gjendja ekonomike, mentaliteti dhe tradita, si dhe ndërgjegjësimi jo i mjaftueshëm i njerëzve mbi dhunën në familje.

Kjo përforcohet edhe në raportin për dhunën ndaj grave dhe veprimtarinë e Avokatit të Popullit.

Sipas anketës së udhëhequr nga OSBE-ja, për dhunën ndaj grave në Shqipëri në vitin 2018, arrin në përfundimin se 47 % e grave të intervistuara mendonin se shumica e shoqeve të tyre janë dakord që “një grua e mirë duhet t’i bindet burrit të saj edhe kur nuk është dakord me të”.

Ndërkohë që 19% e tyre pajtohen me idenë se gruaja e ka për detyrë të kryejë marrëdhënie seksuale me burrin e saj edhe kur nuk ka dëshirë. Këto mendësi janë në ndryshim e sipër.

Nga pohimet rezulton se gratë në moshë më të re, të cilat kanë një arsim më të mirë dhe të ardhura të kënaqshme, janë dukshëm më pak të prira të pranojnë konceptin e nënshtrimit të grave. Edhe pse duhet marrë parasysh se kjo nuk do të thotë se dhuna në këto grupe nuk ekziston.

“Frika, kërcënimi për acarimin e dhunës, turpi, stigma, varësia ekonomike dhe përgjegjësia për fëmijët janë disa nga faktorët që i mbajnë gratë të mos tregojnë eksperiencat e tyre të dhunës”.

Varësia ekonomike e grave, izolimi i tyre në shtëpi, shpesh për shkak të papunësisë, hera-herës e bën të pamundur për to t’i rezistojnë dhunës.

Normat sociale mund të kontribuojnë ose të parandalojnë mbizotërimin e dhunës në familje apo të partnerit intim. Rreth 50% e grave të anketuara në sondazhin e INSTAT besojnë se, dhuna midis burrit dhe gruas, është një çështje private dhe se të tjerët nuk duhet të ndërhyjnë.

Në një anketë së OSBE-së për dhunën ndaj grave në vitin 2018, raportohet se vetëm 3% e grave, të cilat kanë përjetuar dhunë nga partneri i tyre i tanishëm, kanë raportuar në polici incidentin më të rëndë të dhunës.

Albanian Post, gjatë shqyrtimit të anketës, nënvizoi faktin se, dhuna ndaj grave nuk raportohet në shkallën e duhur.

Kësisoj, gratë e dhunuara nuk arrijnë të përfitojnë “gjithmonë” shërbimet dhe mbrojtja që iu ofrohet.

Ndonëse janë bërë shumë përmirësime në kuadrin ligjor dhe në politikat përkatëse, ende ekzistojnë boshllëqe në kuadrin ligjor.

Si Lida janë me qindra gra në Shqipëri. Gra që përjetojnë dhunën në forma të ndryshme të saj. Gra që kanë frikë të denoncojnë dhunuesin. Gra që druhen të jenë vetvetja për hir të “normave shoqërore”. Të shumta janë dhe organizatat që kanë për qëllim të fuqizojnë zërin e grave apo  që punojnë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Edhe për sa kohë do të heshtin? Dhe, për sa kohë, reagimi qytetar ndaj këtij fenomeni nuk do të jetë masiv?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore