Lajme

Graçanica, komuna e parë që ua falë 100 euro tatim qytetarëve


Komuna e Graçanicës.

Komuna e Graçanicës, është komuna e parë që ka vendosur t’ua falë deri 100 euro tatim të gjithë banorëve të kësaj komune.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës, Leutrim Ajeti, i cili ka thënë se vendimi në Kuvendin Komunal është marrë me shumicë votash.

“Kuvendi Komunal sot me shumicë votash ka miratuar vendimin për faljen e tatimit në pronë në përputhje me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”, ka njoftuar ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës, të premten e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.

Ndaj dërgimit të këtij ligji në Kushtetuese ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili e ka cilësuar si një veprim të kotë i cili “dëshmon edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin”.

Krejt çka po duan të bëjnë me këtë “potez” kasta e vjetër politike, beson Murati, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”.

“Por kjo nuk pin ujë. Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Murati, ka theksuar se Komunat për ligjin që e kishin miratuar vetë në vitin 2018 – ligj i cili parashihte vlerësimin e pronave sipas tregut, dhe që parashihte që përveç tatimit në objekte, të fillonte edhe të llogaritej tatimi në tokë me 100 për qind të vlerës në vitin 2023 – tentuan t’ia hedhin fajin Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore