Uncategorized

Goro shfaq probleme shëndetësore, shtrohet në spitalin e burgut


Ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, pas arrestimit për tjetërsim pronash ka shfaqur probleme shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake ai është shtruar në spitalin e burgut.

Më herët, Goro dorëzoi edhe dorëheqjen e tij.

Në një letër drejtuar Këshillit Bashkiak Himarës, Goro shkruan se ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbente qytetit për 12 vite e 10 muaj si qytetari i parë.

Sipas tij, rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë me Fredi Belerin nuk ishin në favorin e tij, po as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën as në dorën e tij.

“S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve”.

Për të, Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje.

“Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të ‘fitimtarit’. I dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën”.

Ai thotë se akuzat ndaj tij janë për një faj që nuk e ka bërë.

“Akuzohem për shpërdorim detyre në bashkëpunim me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për falsifikim dokumentesh që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral”.

Në përfundim Goro falënderon të gjithë himarjotët dhe thekson se po largohet me kokën lart dhe zemrën plot e me mirënjohje të përulur.

“Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqijat që na gjejnë”.

Akuzat

Vetë Goro akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer dy herë.

SPAK njoftoi se nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Kjo duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore