Sport

Goli më tinëzar ndonjëherë shënohet nga ekipi i Bersant Celinës (VIDEO)


Një gol shumë interesant është shënuar në Ligën e Parë të futbollit anglez (kategoria e tretë), në ndeshjen mes Ipswich Town dhe Sheffield Wednesday, e cila u zhvillua këtë të shtunë.

Për skuadrën e Ipswich luan edhe përfaqësuesi i Kosovës, Bersant Celina, derisa këta barazuan me rezultat 1:1 përballë Sheffield.

Celina me shokët e tij, ishte duke humbur me rezultat 0:1, teksa goli i barazimit erdhi në minutën e fundit të ndeshjes në një mënyrë shumë interesante, ku po cilësohet si goli më tinëzar ndonjëherë apo “vjedhja më interesante” në futboll.

Skuadra e Ipswich ishte duke finalizuar një aksion në minutat e fundit të ndeshjes, teksa një harkim në zonë arriti ta kapte portieri Bailey Peacock-Farrell.

Por, sulmuesi vendas, Macauley Bonne, fillimisht qëndroi jashtë vijës fundore, pastaj priti që portieri mysafir ta lëshojë topin në tokë, ku më pas nga mbrapa ia vodhi atë për të pasur tek Fraser i cili e gjeti afër vijës sulmuesin Chaplin i cili barazoi rezultatin në 1:1.

Ky gol është bërë viral në rrjetet sociale, derisa shumë media e kanë cilësuar golin më tinëzar ndonjëherë në futboll.

Kujtojmë që Bersant Celina luajti për 75 minuta në këtë takim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore