Euro 2020

Golashënuesit më të mirë të EURO 2020, pas fazës së grupeve


Kanë përfunduar plot 36 ndeshje nga 51 në total në këtë EURO 2020.

Nga të gjitha këto, kemi parë vetëm një pa gola, ajo mes Spanjës dhe Suedisë.

Të gjithë ndeshjet tjera kanë dhuruar gola, emocion, dëshpërim, spektakël, gjithçka nga vlerat e vërteta të futbollit.

Madje, dita e fundit e fazës së grupeve, dhuroi plot 18 gola.

Përveç aspektit kolektiv, lojtarët në fushë kërkojnë që të paraqiten mirë edhe në aspektin individual.

Kush janë futbollistët që kanë shënuar më shumë gola në këtë fazë grupeve, futbollistët që kërkojnë këpucën e artë?

Në krye vjen një legjendë, një emër i njohur tashmë në këto lista, Cristiano Ronaldo.

Portugezi në ndeshjen e parë theu rekordin e më shumë golave në kampionate Evropiane, duke shënuar golin e tij të dhjetë.

Kurse, tani ai ka 14.

Cristiano Ronaldo e ka mbyllur fazën e grupeve me pesë gola, dy më shumë se çdo futbollist tjetër.

Ai ka shënuar pesë nga shtatë golat e Portugalisë në grupe, duke asistuar njërin.

Në vendin e dytë vijnë pesë futbollistë me nga tre gola.

Romelu Lukaku – sulmuesi belg ka treguar vlerën e tij, duke qenë njeriu më i rrezikshëm para portës për skuadrën e Roberto Martinez.

Emil Forsberg – një emër surprizë në këtë listë, Forsberg ka shënuar tre nga katër golat e Suedisë në këtë EURO, duke i ndihmuar ata që të fitojnë grupin E.

Patrick Schick – futbollisti i Leipzig ka shënuar të gjitha golat për Çekinë në grupi D, duke shënuar edhe një nga golat më të bukur të EURO 2020, përballë Skocisë.

Georginio Wijnaldum – kapiteni i Holandës është treguar shumë efikas para portës, duke shënuar dy herë në ndeshjen e fundit përballë Maqedonisë, dhe golin e parë për Holandën në EURO 2020.

Robert Lewandowski – Ky është futbollisti i vetëm në këtë listë që e ka të pamundur të shkoj përtej këtij numri. Përkundër që tentoi deri në fund, ai nuk arriti që të ndihmojë Poloninë për të kaluar në raundin tjetër.

Kur kanë mbetur edhe 15 ndeshje deri në fund të EURO 2020, edhe gara për golashënuesin më të mirë po del të jetë aq interesante sa ajo për trofeun.

Se kush do të marrë këpucën e artë me vete, mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore