Shqipëria

Gjysmën e parë të vitit, 4.5 milionë të huaj e vizituan Shqipërinë


Shqipërinë e kanë vizituar 4.5 milionë të huaj në gjysmën e parë të vitit, një rritje kjo me 34% në krahasim me vitin e shkuar.

Është ky raportimi i fundit në shifra nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ku specifikohet më tej se 1.2 milionë turistë kanë hyrë vetëm përgjatë muajit qershor.

Gjatë majit nga ana tjetër, ka pasur po ashtu rritje, ku në Shqipëri është raportuar se kanë hyrë 973 mijë turistë të huaj.

Instituti i Statistikave publikoi lëvizjen e shtetasve, ku rezulton se gjatë muajit maj 2024, të kenë hyrë, në territorin shqiptar, 1 milionë e 606 e mijë e 520 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Ky tregues ka shënuar rritje me 30,6%, krahasuar me maj 2023.

Nga ana tjetër, 1 milion e 615 mijë e 862 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 30,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në maj 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 632 mijë e 832, duke shënuar një rritje me 20,5%, krahasuar me maj 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 973 mijë e 688”, shkruhet në publikimin e INSTAT.

Ky numër është rritur me 38,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Sipas statistikave në Maj 2024, krahasuar me Maj 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 37,9%; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 45,0%; rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 48,3%.

I njëjti vlerëson se në muajin Maj 2024, 662.095 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 23,9%, krahasuar me Maj 2023.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Maj 2024, janë 953.767. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 36,0%.

Në Maj 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 927.906 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 24.191 dhe 8.219 shtetas, vlerëson INSTAT.

Specifikat ndërkaq për hyrjet dhe daljet e qershorit janë ende të papublikuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore