Lajme

Gjykim i stilit “Nuremberg” për luftëtarët azov?


“Bëhuni gati për një Nuremberg 2.0”.

Ky është mesazhi i një ish-diplomati rus në WhatsApp, për të paralajmëruar atë që tashmë, duket tërësisht e paevitueshme.

Për luftëtarët azov, mund të ketë gjykim dhe ai, mund të vijë nga një strukturë e veçantë e ngritur prej Moskës, nën stilin e gjykimeve të Nurembergut për Gjermaninë naziste pas Luftës së Dytë Botërore.

Madje, kjo mund të jetë edhe mënyra se si Kremlini mund të gjejë justifikimin për luftën që nisi në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

Vladimir Putin, e ka thënë prej ditës së parë se kërkon “denazifikimin” e Kievit, me qëllim të vërtetë të fshehur, vendosjen e një qeverie ukrainase kukull, e cila i shërben në të vërtetë Rusisë.

Me qindra ushtarë, të cilët rezistuan për muaj të tërë në fabrikën e çelikut dhe qymyrit Azovstal, u evakuuan më 17 maj gjatë një operacioni të koordinuar mes palëve.

Sipas marrëveshjes fillestare, do të kishte një shkëmbim mes luftëtarëve azov dhe pengjeve rusë të luftës në Ukrainë.

Mirëpo, bisedimet për këtë shkëmbim duket se kanë ndalur dhe në të vërtetë, ajo për çfarë po flitet më shumë, është gjykimi i atyre të cilët Kievi, i referohet si heronj.

Të shumtë e kanë quajtur një lëvizje të gabuar këtë të dorëzimit, përfshi edhe nga vetë radhët e ushtarëve.

Por, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e theksoi që në çastet e para se “heronjtë, i duhen të gjallë Ukrainës”.

Një gjyq i stilit të Nurembergut, nuk është mohuar as nga zyrtarë të lartë rusë.

Denis Pushilin, lideri i territoreve të kontrolluara ruse në Donetsk, tha se po planifikohet një gjyq ndërkombëtar pikërisht në atë territor për azovët. Por kjo ende nuk është faktuar nga Moska.

Një model tjetër mund të jetë edhe ai i Kharkiv-it në 1943-shin, kur Bashkimi Sovjetik dënoi dhe ekzekutoi tre gjermanë dhe një ukrainas me varje.

Por, në kushtet e sotme, mbetet më pak e mundur kjo gjë, duke parë edhe ligjet e reja ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore