Lajme

Gjykata Themelore as të premten s’mban asnjë seancë


Pallati i Drejtësisë.

Edhe të premten e 25 nëntorit, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka anuluar të gjitha seancat gjyqësore të parapara për të të premten.

Kjo gjykatë është bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, për të reduktuar punën në shenjë pakënaqësi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ku parashihet ulja e pagave për punonjësit në sistemin e drejtësisë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi për “Betimin për Drejtësi”.

“Nuk kemi arritur të sigurojmë numrin e saktë të seancave të parapara për datë 25 nëntor 2022, mirëpo ju informojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë shtyrë të gjitha seancat e caktuara për ditën e sotme bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, ndërsa janë mbajtur gjitha seancat e natyrës urgjente, të përcaktuara në bazë të listës së shërbimeve esenciale nga KGJK”,  ka sqaruar Gashi.

Pallati i Drejtësisë.

Të mërkurën e 23 nëntorit, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Albert Zogaj, ka bërë të ditur se KGJK dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e çdo organizimi apo ku janë pjesëmarrës përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovë.

“Nëse nuk e anulon vendimin, KGJK do të vendosë më 8 dhjetor për masat e tjera”, theksoi Zogaj.

Gjithashtu ai kishte potencuar se vendimi i Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe me parimet ndërkombëtare.

“KGJK-ja ka qenë e detyruar të marrë këtë vendim. I bëjmë thirrje Qeverisë që të reflektojë sepse vendimi i sotëm i Qeverisë është në kundërshtim me të gjitha aktet”, shtoi ai.

Në vitin 2017 kryeministri i Kosovës atëherë, Ramush Haradinaj, pati rritur pagat për shumë kategori dhe mes tyre për gjyqtarë dhe prokurorë.

Përkundër faktit se një gjë e tillë konsiderohej si joligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ky vendim asnjëherë nuk ishte shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, pavarësisht kërkesave të opozitës e shoqërisë civile në atë kohë.

Vendimi ishte prekur më pas në vitin 2020 nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, por vetëm për zyrtarë qeveritarë, derisa pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë mbetën, meqë edhe shkonte me premtimet e vetë Kurtit për paga të larta në këtë sektor.

Përfundimisht, me Projektligjin për paga nga Qeveria e Kosovës të enjten, ulje të pagës kanë pësuar edhe gjyqtarët edhe prokurorët.

Por, siç shpjegojnë ekspertët, kjo ulje përmes këtij ligji është në fakt krejtësisht jo ligjore.

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-Komisionit të Venecias, anti…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore