Lajme

Gjykata moldave urdhëron shpërbërjen e partisë pro-ruse “Sor”


Gjykata Kushtetuese në Moldavi ka urdhëruar shpërbërjen e menjëhershme të partisë pro-ruse Sor, duke e konsideruar këtë të fundit si “jokushtetuese”.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Në mars, shefi i policisë së Moldavisë paralajmëroi se agjencitë ruse të inteligjencës kishin përdorur protestat e organizuara nga Sor për të tentuar të destabilizojnë vendin.

Partia Sor udhëhiqet nga Ilan Shor, një biznesmen që u arratis në Izrael në vitin 2019 pasi u dënua për mashtrim dhe pastrim parash.

Pas vendimit të gjykatës, Shor shkroi në Facebook duke pretenduar se masa nuk kishte “asnjë lidhje me një shtet të sundimit të ligjit, parimet dhe vlerat demokratike, supremacinë e ligjeve dhe kushtetutën”.

Ai tha gjithashtu se vendimi është marrë nën presionin e “kukullave nga jashtë”.

Shor u zotua të apelojë kundër vendimit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe “të sjellë para përgjegjësisë të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces të paligjshëm”.

Mbështetësit e partisë u mblodhën jashtë Gjykatës Kushtetuese në kryeqytetin e Moldavisë, Chisinau, përpara vendimit, duke mbajtur pankarta me slogane anti-qeveritare.

Presidentja pro-perëndimore e Moldavisë, Maia Sandu, përshëndeti vendimin e gjykatës, duke shkruar në Facebook se ishte “e pritshme nga shoqëria, sepse moldavët e vlerësojnë demokracinë dhe duan të jetojnë në një shtet demokratik që respekton sundimin e ligjit, një shtet ku organizatat kriminale nuk janë të mbrojtura, por të penguara nga kapja e shtetit”.

Shor tani është nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve dhe BE-së për bashkëpunim me Rusinë në përpjekje për të destabilizuar Moldavinë dhe për të rrëzuar qeverinë e saj.

Kur u largua nga Moldavia, ai po përballej me ndjekjen penale për përfshirje në vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga tre banka moldave për të cilat u dënua me 15 vjet burg.

Moldavia i ka kërkuar vazhdimisht Izraelit të ekstradojë Shor-in.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, media moldave raportoi se pesë anëtarët e parlamentit të partisë Sor do të “vazhdojnë të ushtrojnë mandatet e tyre si deputetë të pavarur pa të drejtën për t’u bashkuar me ndonjë fraksion tjetër parlamentar”.

Vendimi i gjykatës “është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore