Lajme

Gjykata i lë në paraburgim Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt


Foto nga vendi i ngjarjes ku u vra Liridona Ademaj.

Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, u është vazhduar paraburgimi.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P, dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, ashtu që tre të pandehurve iu vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin”.

“Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 31.12.2023 deri më datë 29.02.2024”, ka thënë Gashi.

Çfarë ndodhi?

Liridona Ademaj, është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim.

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor, Prokuroria Themelore, ka dhënë detaje të veprimeve që pretendohet se i kanë kryer Nam Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor në Prishtinë, rasti ky i cili fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasojë vdekjen”.

Ndryshe, në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

“Murseli derisa ishte duke lëvizur me veturë, në të cilën ishte bashkëshortja Liridona dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë i pandehuri Plava para veturës, me maskë në kokë dhe revole në dorë, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Murseli me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, derisa tani e ndjera Liridona ka mbetur në veturë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dosjen e Prokurorisë ndër të tjera theksohet se i pandehuri Granit Plava e ka qëlluar viktimën nga afërsia me një plumb në qafë.

“Ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i ka premtuar të pandehurit Granit Plava, një shumë të të hollave prej 30 mijë euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë, gjithashtu, jep detaje edhe për përfshirjen e Kushtrim Kokallas në rastin e vrasjes, ku sipas Prokurorisë ky i fundit ka njoftuar Murselin me dorasin, në këtë rast Granit Plavën.

“Një javë para natës kritike, të pandehurit Murseli dhe Kokalla (me të cilin kanë raporte familjare- djalë i dajës dhe djalë i hallës) dhe i pandehuri Plava (shok i të pandehurit Kokalla), janë takuar në pompën e derivateve ‘Shell’, ku i pandehuri Plava i ka treguar se merret me gjithçka”.

Pas takimit të tyre në “Shell”, sipas Prokurorisë, thuhet se Murseli i kërkon Kokallës numrin e telefonit të të pandehurit Plava, kurse në ditën kritike Murseli takohet sërish me Kokallën në ora 9:30 në qytetin e Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore