Lajme

Gjykata e Tajvan-it e konsideron kushtetues dënimin me vdekje


Gjykata Kushtetuese e Tajvan-it vendosi të premten se dënimi me vdekje është kushtetues, por vetëm për krimet më të rënda me shqyrtimin më rigoroz ligjor.

Vendimi i instancës më të lartë të drejtësisë, erdhi pasi ajo shqyrtoi një peticion të paraqitur nga 37 persona të dënuar me vdekje.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike “Reuters”.

Reuters shkruan se pavarësisht reputacionit të Tajvanit si “demokracia më liberale e Azisë”, dënimi me vdekje mbetet gjerësisht popullor sipas sondazheve të opinionit.

Vitet e fundit ai është kryer shumë rrallë dhe krimi i dhunshëm është relativisht i ulët, vëren agjencia e lajmeve.

Gjykata, e cila filloi dëgjimin e çështjes në prill, vendosi se megjithëse e drejta për jetën duhet të mbrohet, këto mbrojtje “nuk janë absolute”, deklaroi gjykatësi Hsu Tzong-li.

Grupet e të drejtave në Tajvan thanë nga ana e tyre se ndërsa kishte disa pika pozitive në vendim, Tajvan-i duhej t’u jepte fund të gjitha ekzekutimeve.

Megjithatë, zyra presidenciale tha se vendimi ishte një moment historik i rëndësishëm në sistemin gjyqësor të Tajvan-it.

“Presidenti e kupton se ka zëra të shumtë në shoqërinë e Tajvan-it dhe shpreson që të gjithë të vazhdojnë të kenë dialog dhe komunikim me një qëndrim mirëkuptimi, tolerance dhe respekti”, thuhet në deklaratë, raporton Reuters.

Partia më e madhe opozitare e Tajvanit Kuomintang shprehu keqardhje, duke thënë se gjykata po përpiqej në thelb të heqë dënimin me vdekje dhe po shkonte kundër ndjenjave të shumicës së njerëzve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore