Sport

Gjykata e Madridit në favor të Super League: UEFA nuk mund të justifikojë monopolin


Photo: UEFA

Gjykata Provinciale e Madridit ka lënë në fuqi ankesën kundër Gjykatës Tregtare numër 17 dhe hedh poshtë kundërshtimin e UEFA-s me një vendim të fortë në favor të Super League-s.

Në vendim, në të cilin gazeta spanjolle “Marca” ka pasur akses, tre magjistratët e gjykatës sigurojnë se “FIFA dhe UEFA nuk mund të justifikojnë sjelljen e tyre kundër konkurrencës sikur të ishin të vetmit ruajtës të disa vlerave evropiane, veçanërisht nëse kjo duhet të shërbejë si një justifikim për të mbajtur një monopol nga i cili mund të përjashtojë ose pengojë nismën e asaj që aspiron të jetë konkurrenti i saj, Super League”.

Për këtë, gjyqtarët shtojnë se “duke pasur parasysh indikacionet që na janë vënë në dispozicion, nuk na duket se mënyra e sjelljes së të pandehurve mund të justifikohet si mbrojtje e interesave të përgjithshme të futbollit europian, por përkundrazi se ajo që paralajmërojmë është një veprim që ka të gjitha karakteristikat e një abuzimi të pajustifikueshëm nga dikush që mban një pozicion dominues”.

Gjyqtarët e Gjykatës Provinciale të Madridit akuzojnë gjithashtu aftësinë e supozuar të UEFA-s për të pasur sukses me shpërndarjen ekonomike të gjeneruar nga garat e saj.

“Për më tepër, ne nuk mund të supozojmë në këtë procedurë paraprake se mekanizmi i shpërndarjes së fitimit që përdoret nga FIFA dhe UEFA, e cila nuk shënohet apo kontrollohet nga një rregullator publik i pavarur, përbën domosdoshmërisht më të mirën e mundshme për interesat e përgjithshme të sportit”.

Vendimi urdhëron FIFA-n dhe UEFA-n të përmbahen nga miratimi i masave apo veprimeve dhe nga nxjerrja e çdo deklarate, gjatë procesit gjyqësor, që pengon, drejtpërdrejt apo tërthorazi, përgatitjen apo zhvillimin e Super League-s.

Ndalohet FIFA dhe UEFA, gjatë procesit kryesor, drejtpërdrejt ose tërthorazi (nëpërmjet anëtarëve të tyre, konfederatave, klubeve të licencuara ose ligave kombëtare) të shpallin ose kërcënojnë me ndonjë masë disiplinore ose sanksionuese klubet, menaxherët dhe njerëzit nga klubet që marrin pjesë në përgatitjen e Super League-s.

Ky vendim i Gjykatës Provinciale të Madridit vjen vetëm tre muaj para vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED) që duhet të vendosë nëse UEFA gëzon monopol në organizimin e garave. Nuk do të ketë ankesë kundër vendimit të GJED-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore