Shqipëria

Gjykata e Lartë rrëzon Berishën dhe Malltezin, s’ka ndryshim të trupit gjykues


Gjykata e Lartë ka rrëzuar një kërkesë të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për të zëvendësuar trupën gjykuese, në rekursin që ata kanë bërë lidhur me rrëzimin e dy vendimeve nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Artur Kalaja, i cili ka shqyrtuar kërkesën e paraqitur një ditë më parë nga Berisha dhe Malltezi, që kërkonin përjashtimin e gjyqtarëve Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.

Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, pasi të dy ata kanë kryer një rekurs, ku Berisha kërkon rrëzimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” e vendosur nga dy shkallët e gjyqësorit shqiptar, pas kërkesës së SPAK.

Gjithashtu rekurs në këtë gjykatë ka bërë edhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-Kryeministrit, që ashtu si Berisha kundërshton masën e sigurisë.

Kjo shtyrje ka ardhur pas kërkesave nga Berisha dhe Malltezi, për ndryshimin e trupës gjykuese. Të dy ata kanë kërkuar dorëheqjen e gjyqtarëve Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.

Data e re e caktuar për mbajtjen e seancës është 16 korriku.

Me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore