Shqipëria

Gjykata e Lartë refuzon rekursin nga ish-kryebashkiaku i Lushnjës


Gjykata e Lartë – të martën e 8 shkurtit – ka refuzuar rekursin e bërë nga ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe dhe vartësit e tij.

Sipas informacioneve, Gjykata vendosi mospranimin e rekurseve të paraqitura nga personat nën hetim Fatos Tushe , Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati kundër vendimit nr.24, datë 28 korrik 2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tushe së bashku me zyrtarë të tjerë, u arrestuan më 6 korrik me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Fill pas arrestimit me vendim të Këshillit të Ministrave ai u shkarkua nga detyra.

Që prej arrestimit të tij, Tushe ka apeluar disa herë masën “arrest me burg” duke kërkuar masë më të butë për arsye shëndetësore.

Gjatë korrikut, ai paraqiti disa kërkesa, me arsye shëndetësore, pranë gjykatës për ta liruar atë me kusht.

Në kërkesën e depozituar në gjykatë, Fatos Tushe pretendonte se vuan nga sëmundje të zemrës, diabet, gurë në tëmth, si dhe është alergjik ndaj ushqimeve specifike.

Ndërkaq, Tushe u shpreh se ishte i gatshëm të paguante lirimin me kusht, në mënyrë që të dilte nga burgu.

Më 13 shtator Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Tushen.

Hetimi ndaj tij nisi në korrik të 2020-ës, pasi u dyshua se kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në Lushnjë.

Akuzat për të arrestuarit

Fatos Tushe, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lushnjë, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.

Flamur Peqini, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike pranë kësaj bashkie, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Gazmend Çela, Bektash Nexha dhe Blerta Turku, punonjës pranë drejtorisë së lartpërmendur, akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti shpk” dhe Bujar Murati, administrator i kompanisë “Euro Alb shpk”, akuzohen për kryerjen e veprave penale të “falsifikim i dokumenteve”.

Tushe ka drejtuar bashkinë e Lushnjës prej tre mandatesh. Ai ka qenë edhe deputet i parlamentit të Shqipërisë.

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Tushe, së bashku me sekretaren e tij mbetën të plagosur pas një sulmi në zyrë me lëndë plasëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore