Lajme

Gjykata e Hagës lë në burg ish-gjeneralin serb


Gjykatat Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë, ditën e mërkurë më 24 mars, ka hedhur poshtë një kërkesë për lirim me kusht nga Stanislav Galic.

Ai ka qenë një gjeneral i kohës së luftës dhe komandant i Korpusit të Sarajevo-Romanija,  të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Aktualisht, Galic po vuan një dënim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit, në një burg gjerman.

Autoritetet gjermane i kanë thënë gjykatës së Kombeve të Bashkuara se Galic ka të drejtë sipas ligjit gjerman që pjesën e mbetur të dënimit të tij me burg të lirohet me kusht.

Por presidenti i gjykatës së OKB-së , Carmel Agius, vendosi që Galic “nuk ka ende të drejtë të konsiderohet për lirim të parakohshëm në këtë fazë”,  sepse ai nuk ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij.

“Për më tepër, nuk janë siguruar rrethana imponuese ose të jashtëzakonshme që mund të kërkojnë dhënien e lirimit të parakohshëm,” shtoi Agius.

Agius tha se ishte veçanërisht e rëndësishme t’i përmbahesh pragut të dy të tretave sepse vendimi i gjykatës tha se krimet e Galic ishin “jashtëzakonisht brutale dhe mizore”.

“Për më tepër, pjesëmarrja e tij në to u pa se ishte sistematike, e zgjatur dhe e paramenduar,” shtoi Agius.

Proceset gjyqësore kundër Galic

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë  e cilësoi Galic fajtor në 2006-ën, për terrorizimin e popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të luftës në kryeqytetin e Bosnjës. Ai aty kreu një fushatë sulmesh artilerie dhe snajperësh.

Gjeneral Galic ishte komandant i Korpusit Romanija, njësia e ushtrisë serbe e quajtur me emrin e malit ku ishte vendosur, e cila rrethoi Sarajevën.

Në një bombardim katër-vjeçar, një total prej 11 mijë njerëz, kryesisht civilë, u vranë dhe një pjesë e madhe e qytetit u shkatërrua.

Në vitin 1998, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë paditi Galic-in në bazë të përgjegjësisë individuale për akuza të vrasjes, veprimeve çnjerëzore, krimeve kundër njerëzimit, shkaktimit të paligjshëm të terrorit ndaj civilëve, sulmeve ndaj civilëve dhe shkeljeve të ligjeve dhe zakoneve të luftë.

Akuza u vulos derisa Galic u arrestua nga SAS Britanik në 20 Dhjetor 1999-ës.

Më 5 Dhjetor 2003, gjyqi i tij përfundoi me një dënim prej 20 vitesh për bombardimet në Sarajevë.

Galic e apeloi aktgjykimin, por më 30 nëntor 2006, apeli i tij u refuzua dhe dhoma e apelit e zgjati dënimin e tij nga 20 vjet, në burg të përjetshëm.

Ai u dërgua në Gjermani për të vuajtur dënimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore