Shqipëria

Gjykata çështjen morale nuk e zgjidh, e zgjidh Olta Xhaçka


Mbrëmjen e 23 janarit Gjykata Kushtetuese vendosi që çështja e mandatit të deputetes së mazhorancës dhe Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, do të rikthehet edhe një herë për diskutim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo pasi opozita ditë më parë – e dukur vetëm në formën e shthurur të saj së fundmi, me një grupim të kryetarit Sali Berisha dhe me një tjetër të kreut të Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj – paraqiti dy kërkesa të ndryshme, thuajse me të njëjtin objekt: Rishikimin e mandatit të Xhakës.

Ndryshorja në kërkesë qëndronte veçse në mënyrën se si duhej vepruar procedurialisht dhe “metoda” Alibeaj, ajo e kthimit për diskutim në Kuvend, mori miratimin nga Kushtetuesja.

Në gjithë këtë mesele kemi të bëjmë me dy probleme reale të politikës shqiptare.

Nga njëra anë pretendimi i opozitës për shkelje të Kushtetutës nga ana e deputetes socialiste, për përfitim të pasurisë publike, pasi bashkëshorti i saj mori statusin “investitor strategjik” dhe të drejtën për përdorimin e bregdetit para hotelit që do të ndërtojë në jug të vendit.

Statusi “investitor strategjik” parashikon përfitime publike për fituesin, reduktim të TVSH-së, procedura të përshpejtuara administrative, akses në infrastrukturë dhe rrjetin elektrik, si edhe përdorimin e tokës shtetërore si plazh para hotelit.

Kështu humbi mandatin Ilir Beqja në 2011 dhe Koço Kokëdhima në 2016, sepse dispozita ligjore është e qartë për këdo që është deputet.

Sipas nenit 70 në pikën 3 “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.

Nëse herët a vonë Gjykata Kushtetuese do të duhet ta zgjidhë nëse kemi të bëjmë me konflikt interesi dhe ky nen ka vend për interpretim edhe për familjarët e afërt të një deputeti, kjo mbetet për t’u parë.

Por deri në momentin e tanishëm, problemi i parë është pikërisht ai i Olta Xhaçkës.

Ai është së pari politik dhe lidhet me kohën në të cilën ndodh. Duket sikur asnjë në maxhorancë nuk do të kuptojë që në një situatë kur kërkohet me ngulm që SPAK të fillojë punën e tij realisht, kur për korrupsion ka dosje të hapura duke filluar që nga inceneratorët, konçesionet në Ministrinë e Shëndetësisë, apo edhe ajo ku i përfshirë është ish-presidenti, Ilir Meta, zgjedhja si partner strategjik e bashkëshortit të një deputeteje dhe ministreje nuk bën asgjë më pak, se sa dobëson vetë marrëdhënien e saj dhe të partisë që ajo përfaqëson me vendin dhe besimin tek institucionet.

Së dyti ai është etik dhe moral. Partneri strategjik teknikisht është person tjetër, por praktikisht kryefamiljari i vatrës ku jeton deputetja.
Aq e rëndësishme është çështja morale, sa më 24 janar 2023, në Ukrainën me halle lufte plot dhe me probleme thelbësore të mbijetesës së shtetit në thelb, një prej këshilltarëve kryesorë të presidentit Zelensky, dha dorëheqjen sepse akuzohet për korrupsion.

Gjykata, çështjen morale nuk mund ta zgjidhë. Ajo mbetet tërësisht në dorën e vetë deputetes, duke përfshirë dhe partinë që përfaqëson. E kotë të thuhet që është çështje respekti ndaj zgjedhësve dhe institucioneve që përfaqëson.

Problemi i dytë i kësaj meseleje është agonia në të cilën dergjet opozita e demokratëve shqiptarë.
Për të gjithë politologët, apo studiuesit e kushtetutës, një nga elementet thelbësorë për përcaktimin e një sistemi juridik si liberal ose jo është roli i opozitës dhe shkalla e shëndetit të saj brenda sistemit politik. Sistemet juridike ku opozita pothuaj nuk ekziston janë demokratike vetëm në “fasadë”.

Kur një opozitë politike është reale, merr funksionin e domosdoshëm kushtetues për funksionimin korrekt të institucioneve. Ajo ruan një ndarje efektive të pushteteve dhe është pikërisht ajo që kontrollon dhe balancon.

Po opozita demokrate në Shqipëri është në mjerim të plotë, në kërkim të vetvetes, e gërryer nga luftërat e brendshme dhe nga protagonismi vdekjeprurës i liderit të saj, pa asnjë propozim politik dhe një platformë që as vetë militantët nuk e njohin.

Çështja Xhaçka nuk bëri gjë tjetër veçse vuri edhe një herë në evidencë dobësinë e tejskajshme. Edhe në një rast të lehtë politikisht, kur pretendimi për konflikt interesi ndaj deputetes socialiste ishte i të dy grupeve brenda PD-së, ata nuk arritën të bien dakord për një version të vetëm.

PD-ja, një parti e shtrembëruar në një rreth vicioz, ku njëri ka vulën e tjetri partinë, ku njëri fiton në gjykatë e tjetri humb, ku një tjetër vendim gjykate duket sikur do arrijë të zgjidhë të pazgjidhshmen, por në fakt asnjë gjykatë nuk është në gjendje ta bëjë, ku nevoja për pushtet e mbijetesë pengon kondensimin e fjalimeve në një program ideologjik homogjen, të cilin votuesit e presin.

Perspektiva? Asnjë nuk e di!
Por, e sigurt është ajo e një PS-je me probleme të mëdha, e “falur” në rrugëtimin e saj nga agonia e një opozite të thyer copash.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore