Kosova

Gjuriç: Lajçak të caktojë një afat për themelimin e Asociacionit


Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, deklaroi se është në interes të palës serbe dhe asaj shqiptare që çështja e Kosovës të zgjidhet, “por jo sipas afateve të dikujt tjetër dhe nën presion”, derisa ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjuriç ka potencuar se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të caktojë përfundimisht një afat për formimin e Asociacionit.

“Unë personalisht mendoj se kur bëhet fjalë për afatet, do të ishte e dobishme që zotëri Lajçak të caktojë përfundimisht një afat për formimin e Asociacionit”, tha Gjuriç në një intervistë për Kurir.

“Mbështetja e partnerëve tanë amerikanë dhe evropianë, në radhë të parë në zbatimin e marrëveshjeve dhe marrëveshjeve të mëparshme, si dhe në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë, është thelbësore për stabilitetin e rajonit. Ne do të vlerësojmë gjithmonë praninë dhe ndihmën e atyre që sinqerisht mbrojnë një rezultat kompromisi të bisedimeve”.

Së fundmi që u deklaruar për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Serbi, Christopher Hill.

Sipas diplomatit veteran amerikan, për çështjen e Asociacionit “natyrisht që do të ketë një lloj marrëveshjeje”, dhe se për një gjë të tillë janë të informuar të dyja palët.

Kosova të paraqesë propozimet për Asociacionin, thotë diplomati gjerman

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që t’i paraqesë propozimet e saj në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka ritheksuar se nuk do të krijohet një entitet brenda Kosovës si “Republika Serbe” në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kosova duhet të veprojë për këtë dhe ju e dini, sa më shpejtë të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të çmitizojë dhe relaksojë bisedën”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.

Diplomati gjerman ka nënvizuar se institucionet në Prishtinë, e kanë obligim formimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, pati thënë se mund të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por jo mbi baza etnike, pasi sipas tij, “Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

“Në mënyrën se si është në frymë dhe germën e saj, nuk do të njihet. Duhet ta keni parasysh që në qendër të marrëveshjes për normalizim nuk është Asociacioni dhe nuk ka asnjë zyrtar amerikan që e thotë këtë gjë”, kishte potencuar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore