Kosova

“Gjuhë e rrezikshme ndaj gazetarëve”, e quan AGK-ja deklaratën e Sveçlës


“Gjuhë e rrezikshme e Ministrit (të Punëve të Brendshme, Xhelal) Sveçla ndaj gazetarëve”, e ka konsideruar Asociacionin i Gazetarëve të Kosovës deklaratën problematike të ministrit Sveçla, i cili lidhi gazetarët me “luftën hibride” të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Përmes një komunikate për media nga AGK-ja kanë thënë se e kanë parë “me shqetësim një postim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të mediave dhe gazetarëve”.

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e (Listës) Srpskas, (Slavko) Simiç u janë dhënë mediave kosovare nga presidenti serb, Vuçiç”, duke iu referuar audio-incizimeve ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të mazhoracës, Mimoza Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç.

Ministri gjithashtu, pohojnë ata “akuzon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve”.

“Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediat”, përfundon komunikata e AGK-së.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, duke komentuar protestën e thirrur nga shoqëria civile dhe e përkrahur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër koordinimit të Qeverisë së Kosovës me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë, ka bërë një deklaratë mjaftë problematike.

Sveçla, sikur një teoricien i konspiracionit, e jo një ministër i një dikasteri mjaft të rëndësishëm, ka arritur të lidhë protestën e paralajmëruar sot në Prishtinë me ato në Serbi të cilët po mbahen kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it.

Përmes një shpjegimi të thukët, Sveçla, ka shkruar se presidenti Vuçiç i është kthyer metodave të tij të luftës hibride duke tentuar të nxisë trazira në Kosovë, pasi ka kuptuar se po e humb betejën në terren me Kurtin.

Prandaj ai ka deklaruar se “mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, meqë sipas tij protesta e thirrur për sot vije në një farë mënyre si një urdhër nga Serbia.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiç-it”.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”.

“Ai po e humb ndikimin në Veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar”, ka potencuar ai përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

“Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt. I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiç-i ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiç-it, por dobësimin e pozicionit të Kurtit”, ka shtuar ai.

Sveçla i lidhë protestat e veteranëve me ato kundër Vuçiç-it në Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore