Shqipëria

Gjuetia e paligjshme, përgjakja e një shoqërie pa rregulla


Gjuetia e paligjshme është një fenomen që, me sa duket, nuk zhduket lehtë në vendin tonë.

Që prej 2014-ës, kur moratoriumi hyri në fuqi, për Albanian Post policia bën me dije se rastet janë shtuar. Ata kanë dërguar në prokurori më shumë se 260 raste të gjuetisë së paligjshme.

Edhe pse kanë kaluar shtatë vjet pasi Shqipëria ndaloi gjuetinë, grupet e mbrojtjes së botës së egër dhe gjuetarët mendojnë se ky aktivitet vazhdon të jetë i përhapur dhe se autoritetet po neglizhojnë shkeljet e ligjit.

Synimi i këtij ligji është “ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër”.

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri

Të shqetësuar rreth gjuetisë së paligjshme dhe pse ndodh kjo kur është e ndaluar me ligj, iu drejtuam Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Në një prononcim për Albanian Post, zëdhënësi i PPNEA, Joni Vorpsi, fillimisht tha se, edhe pse ndalohet me ligj, gjuetia vazhdon.

“Ky aktivitet vazhdon të jetë i paligjshëm. Por, pas hulumtimeve tona, ka individë, të cilët i përmbahen manualit të gjuetarit dhe i referohen ligjit të vjetër të gjuetisë. Ndërkaq, paralelisht, shumë i përhapur, është dhe ushtrimi i metodave jo të qëndrueshme, të cilat mund të çojnë në degradimin e popullatave si dhe në zhdukjen e tyre”.

Parandalimi

Në vijim, Vorpsi vuri theksin edhe në mënyrat që mund të përdoren për parandalimin e gjuetisë. Ai sugjeron krijimin e një ligji, ku të parashikohen qartë rregullat e gjuetisë. Në këtë rregullore, sipas tij, të përcaktohen kalendarët dhe llojet e kafshëve mbi të cilat mund të ushtrohet ky aktivitet.

“Për të rregulluar ushtrimin e aktivitetit të gjuetisë, ne kemi shprehur mendimin se duhet një ligj i ri. Nëpërmjet këtij ligji mund të caktohen qartë rregullat mbi ushtrimin e gjuetisë, krijimi i strukturave për menaxhimin dhe kontrollin e këtij aktiviteti. Gjithashtu të caktohen kalendarët dhe llojet mbi cilat kafshë mund të ushtrohet ky aktivitet”.

Nismat

Albanian Post mësoi se PPNEA ka ndërmarrë një sërë nismash në luftën kundër gjuetisë së paligjshme. Vorpsi tregon se kanë punuar fort që gjuetia e paligjshme të përfshihet në raportin vjetor për Shqipërinë nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

“Nga informacionet e ndara nga ne është bërë e mundur që Këshilli i Bashkimit Evropian ta përfshijë këtë fenomen si një problem në raportin e progresit të Shqipërisë”.

Ndërkaq, PPNEA, tregon Vorpsi, ka lobuar fort pranë institucioneve shtetërore për krijimin e Këshillit Kombëtar të Faunës. Ky këshill përfshin organizata mjedisore, akademinë e shkencave, federatën e gjuetarëve, ekspertë të fushës etj. Ai do të shërbejë për vendimmarrjen në lidhje me aktivitetet që lidhen me faunën e egër të vendit tonë.

“Këshilli u krijua me urdhër të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit në muajin shtator”.

Një masë tjetër e organizatës ka qenë dhe heqja e pajisjeve, të cilat shërbejnë për vrasjen e kafshëve. Vorpsi rrëfen se e gjithë puna është bërë në terren.

“Krahas kësaj, aktivitete direkte në terren janë kryer për uljen e vrasjes së paligjshme të avifaunës dhe faunës, duke hequr fushejzat (vendfshehje që përdoren për gjuetarët e paligjshëm), imitues elektronik për zërat e shpendëve, heqjen e leqeve në pyje në zonat malore”.

Në fund, Vorpsi tregon se ka edhe një sërë denoncimesh, si një formë për të parandaluar gjuetinë e paligjshme.

“Gjithashtu denoncime në prokurori dhe polici janë bërë për rastet e evidentuara në terren nga ekipi ynë”, përfundoi Vorpsi.

Federata e gjuetarëve

Sipas gjuetarëve, shkalla e vërtetë e problemit është edhe më e madhe.

Themi Perri, president i Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë, gjatë një prononcimi për Albanian Post, tha se moratoriumi nuk ka arritur qëllimin për të cilin është vendosur.

“Jo vetëm që nuk ia ka arritur qëllimit, por e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen. Fauna e egër trajtohet si mall pa zot. Të gjithë kanë rrëmbyer armët e vrasin ç’t’u dalë përpara”.

Sipas Perrit, nuk ekziston një kornizë ligjore për aktivitetin e gjuetisë dhe fondet.

“Për 30 vite, kemi patur zero qindarkë investim në këtë fushë”.

Perri akuzon qeverinë dhe administratën si të paaftë, pasi nuk munden të kontrollojnë aktivitetin e gjuetisë.

“Gjuhet ditën dhe natën. Përdoren drita dhe projektorë. Aktiviteti i gjuetisë ndodh edhe kur kafshët dhe shpendët e egra janë në sezon shumimi”.

“Shpikin moratoriumin e gjuetisë dhe shkrijnë drejtoritë e shërbimit pyjor dhe policinë pyjore. Administrata e kësaj fushe nuk është e aftë të kontrollojë aktivitetin e gjuetisë”.

“Gjuetia nuk është vetëm sport, por edhe biznes me të ardhura financiare”, shprehet presidenti i federatës së gjuetarëve.

Sipas tij, dëmi ekonomik i konstatuar për shtatë vite moratorium është mbi 60 milionë euro.

Ai e quajti padrejtësi burgosjen e gjuetarëve nëse shteti nuk është në gjendje të zbatojë ligjet që ka miratuar vetë.

Projektligji

Perri u prononcua për Albanian Post se federata e gjuetarëve, së bashku me një grup ekspertësh evropian kanë përgatitur një projektligj sipas modelit kroat.

Ata kanë propozuar që aktiviteti i gjuetisë duhet t’u kalojë njësive vendore, bashkive vendore dhe këto të fundit t’jua japin me koncesion shoqatave të gjuetarëve.

“Ky projektligj është diskutuar disa herë dhe ka 3 vite që fle në sirtarët e parlamentit.

Tallen me hobin dhe dëshirat e gjuetarëve”, thekson Themi Perri.

Federata Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim, me një kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruci, ka 3 muaj që ka dorëzuar në Kuvend 20 mijë e 200 firma ku kërkohet të kalojë projektligji i gjuetisë.

“Deri tani, asnjë përgjigje nuk kemi marrë nga ana e Kuvendit”, thekson Perri.

Komuniteti i gjuetarëve paralajmëron se do të mbajë qëndrim në këtë periudhë zgjedhjesh.

“Ne jemi shumë. Bashkë me familjarët, të afërmit, miqtë dhe dashamirësit tanë i kalojmë 80 mijë votues. Po të bëhemi bashkë, vota jonë mund të jetë përcaktuese. Negociatat me qeverinë duhen filluar”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore