Lajme

Gjoba deri në 26 mijë euro për tregtarët që ngrisin çmimet në Kroaci


Ilustrim

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka shpallur të premten masat për gjobitjen e tregtarëve të cilët nuk do t’i kthejnë çmimet e mëparëshme që i kanë ngritur në mënyrë të pajustifikueshme gjatë konvertimit nga kuna në euro, e cila u bë valutë zyrtare në Kroaci më 1 janar.

Ai në seancën e qeverisë kroate tha se bëhet fjalë për ata që në mënyrë të pajustifikueshme i kanë rritur çmimet gjatë konvertimit në euro dhe me këtë kanë ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe kanë shkaktuar dëme në ekonomi duke rritur inflacionin edhe më shumë.

Ai gjithashtu bëri të ditur se shërbimet kompetente do të forcojnë kontrollin e çmimeve dhe u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë ata që nuk respektojnë vendimin e qeverisë për kthimin e çmimeve në nivelin e para 31 dhjetorit.

Përveç gjobave që variojnë nga 1 mijë deri në 26 mijë euro, kryeministri kroat paralajmëroi edhe mundësinë e anulimit të subvencioneve për prodhuesit e energjisë.

“Në një krizë, solidariteti dhe përgjegjësia dhe sjellja jofitimprurëse janë të rëndësishme”, deklaroi Plenkoviç.

Ndërkaq, ndihmësja e kryeinspektores shtetërore, Vedrana Filipoviç Grçiç, theksoi se inspektorët deri më tani kanë kryer pothuajse 700 kontrolle dhe në 178 raste kanë konstatuar rritje të pajustifikuara të çmimeve që nga 1 janari.

Rritja mesatare e çmimeve në dyqane është deri në 13 për qind. Rritja më e madhe u vu re në aktivitetet e shërbimeve, e ndjekur nga tregtia me pakicë, veçanërisht prodhimet e bukës, të cilat u rritën me 15 për qind, por në disa vende u vu re rritje e çmimeve deri në 30 për qind.

“Në dyqane më shumë se 70 për qind e subjekteve kanë kthyer çmimet para futjes së euros. Në shërbimet e parukerisë dhe kujdesit të trupit çmimet janë rritur mesatarisht 20 për qind, e në disa raste edhe 50 për qind”, shtoi Filipoviç Grçiç.

Në Kroaci, nga 1 janari, monedha zyrtare është euro dhe kuna mund të përdoret deri të dielën, më 15 janar.

Deri në fund të vitit 2023, kartëmonedhat dhe monedhat kuna do të mund të këmbehen me euro me një kurs fiks prej 7,5340 në zyrat postare, bankat komerciale dhe degët e FINA-s dhe nga viti 2024 vetëm në Bankën Kombëtare Kroate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore