Shqipëria

GJKKO-SPAK dhe precedentët mes tyre


Drejtësia në Shqipëri ka drejtpeshuar shumë çështje vitin e fundit mes Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK).

Por kjo linjë bashkëpunimesh dhe shqyrtimesh të dosjeve të shumta hetimore u shoqërua më 27 korrik nga një mos-dakordësim mes vendimeve të dy “palëve” institucionale.

Gjykimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, bashkëlidhur me dosjen “Gërdeci” nuk u miratua nga GJKKO-ja.

GJKKO-ja cilësoi në vendimin e saj se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

Në vendim thuhet gjithashtu se “Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”.

Fill pas publikimit të vendimit të GJKKO-së, nëpër ambiente mediatike dhe persona të afërt me SPAK qarkulloi lajmi se struktura do ta ankimonte vendimin e GJKKO-së.

Dhe kështu ndodhi. Më 2 gusht, SPAK, zyrtarisht ankimoi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila nuk hapi gjykim kundrejt ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Sipas SPAK-ut, vendimi është i pabazuar në ligj.

Precedentët e tjerë

Çështja “Patronazhistët”, që angazhoi dhe Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut, regjistroi një precedent mes GJKKO-SPAK, kur Gjykata e Posaçme shfuqizoi vendimin për sekuestron e materialeve të portalit “Lapsi.al”.

Ishte SPAK, ajo që vendosi për sekuestron e materialeve të portalit, i cili nxori një databazë të të dhënave personale të mbi 900 mijë qytetarëve, në skemën e “patronazhistëve”.

Më herët, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për konfiskimin e pasurisë së Altin Hajrit.

Sipas GJKKO-së, pasuria nuk duhet të konfiskohet dhe nuk duhet t’i kalojë shtetit.

“Golden Resort”, e regjistruar në emër të Hajrit, ishte pasuria e parë e sekuestruar nga OFL (Operacioni Forca e Ligjit).

Asokohe, vëllezërit Hajri (Altin dhe Emiljan) ishin të dyshuar për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës.

Hetimi i SPAK-ut për mos-justifikimin e pasurisë nuk e bindi GJKKO-në, e cila hodhi poshtë masën e konfiskimit.

Prokuroria e Posaçme e ankimoi vendimin në shkallën e parë.

Më 10 shkurt të vitit 2020, SPAK u përplas sërish me GJKKO-në për hetimet e një rrjeti ekstremistësh në Ballkan.

Shkak u bë kërkesa e Prokurorisë për të pushuar hetimet ndaj tyre.

Shtetasit Ergys Faslia, Xhezair Fishti, Medat Hasani dhe Bekim Protopapa ishin të dyshuar se po përgatiteshin të kryenin sulme terroriste në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Izrael.

Ata u liruan pas përfundimit të afateve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore