Shqipëria

GJKKO kalon për gjykim dosjen për Rezart Taçin


Gjykata e Posaçme GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen për Rezart Taçin, Artur Ballën dhe Bledar Lilon.

Këta të fundit akuzohen nga Prokuroria e Posaçme SPAK se do pastronin 18.4 milionë euro të bosit të Cosa Nostra-s Francesco Zummo.

Ndaj tyre rëndon akuza për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Sakaq, Taçi është në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet.

Më 12 janar, SPAK përmbylli hetimet lidhur me Taçin, ku ka rezultuar në përmbyllje të tyre se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ka organizuar skema komplekse financiare të kundërligjshme, shtrirë në disa shtete.

Sipas SPAK, të pandehurit Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, në bashkëpunim me shtetasit shqiptar Rezart Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo (të dërguar në gjykim më parë në kuadër të procedimit të lidhur), në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përfitimit monetar në masën 16 %, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Shuma monetare që përbën produkt të veprës penale është në masën prej 18 milion e 399 mijë e 941 Euro. Kjo shumë monetare është sekuestruar dhe tashmë është konfiskuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në gjykimin ndaj të bashkëpandehurve në procedimin e lidhur.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 09.01.2024 ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.

Shtyrja e procesit

Procesi gjyqësor ndaj biznesmenit shqiptar Rezart Taçi është shtyrë me 10 ditë, siç bëhet me dije nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kjo, pas një kërkese të avokatëve të Taçit, të cilët kanë argumentuar se ndaj klientit të tyre, është pushuar çështja në Itali dhe kësisoj nuk ka pse ajo të vijojë në Shqipëri.

Procesi vetë ndërkaq ishte pezulluar për një vit, duke marrë parasysh faktin se Taçi ndodhet në kërkim ndërkombëtar dhe nuk është arritur të kapet në ndërkohë, teksa ndaj tij është vendosur një masë sigurie “arrest me burg” në mungesë.

Një seancë e shkuar e 18 dhjetorit ishte shtyrë për të hënën e 8 dhjetorit, Taçi akuzohet për vepra penale si pastrimi i parave, apo grupi i strukturuar kriminal.

Me çfarë ka të bëjë hetimi?

Sipas hetimit nga SPAK, të tre shtetasit shqiptarë kanë bashkëpunuar me ata italianë, Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli. Po ashtu, të përfshirë në çështje kanë qenë edhe disa persona të tjerë.

Forma në cilën ata kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, në bazë të njoftimit të SPAK, ka qenë ajo e grupit të strukturuar kriminal.

Ndaj, e përfshirë në akuzë, është edhe kryerja e aktivitetit si grup i strukturuar kriminal për Taçin.

Skema financiare ka përfshirë kryerjen e disa transaksioneve në vlera shumë të mëdha monetare, por të cilat janë kryer vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur të realizohen plotësisht.

Kjo, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e SPAK-ut.

Kërkesa e SPAK është paraqitur më 27 tetor pranë GJKKO-së.

Por, ngërçi shënohet në çastin kur Taçi nuk gjendet në Shqipëri dhe sipas raportimeve dhe burimeve të Albanian Post, për herë të fundit ai është parë në Milano të Italisë.

Në kohën kur u publikua lajmi se Taçi është hetim, redaksia e Albanian Post e kontaktoi biznesmenin dhe ai bëri të ditur se vendimin do ta ankimonte dhe se akuzat nuk qëndronin.

Por, prej asaj dite, ai rezulton i paarritshëm në kontaktin e tij telefonik dhe nuk është raportuar të ketë pasur hyrje në Shqipëri pas ngritjes së akuzave, pavarësisht pretendimit se do të përballej me to në Gjykatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore