Shqipëria

GJKKO kalon për gjykim dosjen për inceneratorin e Fierit


Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi të kalojë për gjykim pas katër seancash dosjen ndaj 19 të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Fierit.

Mes të akuzuarëve janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako.

Për ish-deputetin socialist, gjykata urdhëroi SPAK-un të ndryshonte akuzën për “korrupsion të funksionarëve të lartë shtetërorë” ndaj tij në “korrupsion të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas gjykatës, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Bllako nuk konsiderohej funksionar i lartë, por funksionar publik.

Koka akuzohet për disa vepra penale si shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprimtarisë kriminale.

Ndërsa, ish-deputeti akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

Të akuzuar janë persona të tjerë si shtetasit Klodjan Zoto, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Erjon Murataj, Florjan Muçaj.

SPAK ka evidentuar faktet penale në fazën e ndjekjes së procedurës për dhënien e koncesionit, si dhe në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni.

Nga hetimi ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59 milion e 950 mijë lekë.

Gjatë hetimit është vendosur masë e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e të pandehurve Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Klodian Zoto, që kanë përfituar në mënyrë të parregullt, me qëllim kërkimin e konfiskimit të vleftës së përfituar në mënyrë të parregullt.

Pas kërkesës së bërë nga organi procedues, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi katër masa sigurie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore