Shqipëria

Gjirokastër: AMP-ja pezullon nëntë punonjës të Policisë për shpërdorim detyre


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar nëntë punonjës të Policisë së Gjirokastrës, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër kishte vendosur më 21 tetor, pikërisht caktimin e masave të sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për këta punonjës.

Bëhet fjalë për: Drejtues B.T., Koordinator i Operacionit me FRONTEX; Kryekomisar F.M., Shef i Sektorit të Migracionit në DVKM Gjirokastër; Komisar R.R., Shef i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër; N/Komisar E.K., Specialist në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër dhe N/Komisar B.K., Specialist i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër.

AMP-ja ka pezulluar edhe katër inspektorë: Inspektor R.B., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër; Inspektor D.S., Trup Shërbimi në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër; Inspektor E.K., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër dhe Inspektor D.Ç., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër.

Vendimi i Gjykatës është rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër.

Kjo, pas informacioneve se disa punonjës policie në bashkëpunim, transportonin emigrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, pas lënies së emigrantëve në zonën e Delvinës, ata janë transportuar kundrejt fitimit nga persona të tjerë, ose kanë udhëtuar në brendësi të territorit shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore