Sport

Gjimshiti pëson dëmtim dhe rrezikon ta humbasë sezonin


Atalanta mori një fitore të madhe në mbrëmjen e kaluar ndaj Romës me rezultat 3:1, kështu duke hyrë në garë për vendin e katërt që e dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Mirëpo në këtë sfidë u dëmtua mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti.

30-vjeçari u shkel nga Tammy Abraham në këmbë, çka bëri ta dëmtonte gishtin e madh dhe u zëvendësua në minutën e 73-të.

Trajneri i Atalanta-s, Gian Piero Gasperini, u shpreh pas ndeshjes se duhen pritur analizat për të folur me saktësi rreth lëndimit të mbrojtësit kuqezi.

“Mendoj se Gjimshiti mori një goditje të fortë në gishtin e madh të këmbës. Duhen testet për të provuar nëse bëhet fjalë për thjesht një goditje apo nëse kemi të bëjmë me një thyrje. Në ditët në vijim do ta shohim, por rreziku ekziston”, ka thënë Gasperini.

Kujtojmë që ky sezon nuk ka shkuar edhe aq mirë për Gjimshitin, pikërisht për shkak të lëndimeve.

Këtë sezon, 30-vjeçari është aktivizuar në 17 ndeshje të Serie A me Atalanta-n.

Ndërkaq, sa i përket këtij dëmtimi mbetet për t’u parë se a do të jetë ai i gatshëm për ndeshjet e qershorit me Shqipërinë, ku kuqezinjtë do ta presin Moldavinë dhe do të përballen në udhëtim ndaj Ishujve Faroe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore