Kosova

Gjermania këshillon shtetasit mos t’ia “mësyjnë” veriut të Kosovës: S’mund të përjashtohen incidentet


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, nëpërmjet një njoftimi të lëshuar të enjten (9 nëntor), ka rekomanduar turistët gjermanë të mos udhëtojnë në drejtim të pjesës veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – të banuar me shumicë serbe për shkak të situatës së tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin e diplomacisë gjermane përmenden tensionet në fund të majit në Zveçan, ku dhjetëra ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), kanë marrë lëndime serioze gjatë aksionit për t’i shpërndarë protestuesit e dhunshëm serbë pas trazirave në pjesën veriore të Kosovës, derisa mundësia e incidenteve tjera nuk përjashtohet nga Gjermania.

“Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar për shkak të tensioneve politike mes Kosovës dhe Serbisë. Që nga fundi i majit ka pasur disa demonstrata, dëmtime materiale dhe përleshje të dhunshme, në të cilat janë lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it/NATO-s dhe disa civilë dhe policë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Gjermanisë.

Në njoftimin e MPJ-së gjithashtu thuhet se përkundër prezencës së shtuar të Policisë së Kosovës dhe KFOR- it, nuk mund të përjashtohet që të ndodhin incidente të tjera të lidhura me sigurinë që mund të prekin edhe shtetasit e huaj në këtë pjesë të Kosovës, derisa rekomandohet që të shmangen udhëtimet drejt veriut të trazuar të territorit kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore