Lajme

Gjermania nuk mirëpret emigrantët nga Italia, edhe Franca mbyll kufijtë


Që nga fundi i gushtit, Gjermania ka ndaluar përkohësisht pritjen e emigrantëve nga Italia.

Qeveria e Berlinit i komunikoi me një letër asaj italiane se i ashtuquajturi “mekanizëm solidariteti vullnetar” është pezulluar për momentin, për shkak të “presionit të fortë emigrator”.

Mësohet se dispozita ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes pas datës 31 gusht, ndërsa emigrantët e identifikuar deri në atë datë vazhdojnë të jenë të mirëpritur.

Baza e vendimit dramatik të qeverisë federale dyshohet se është acarimi gjerman për refuzimin e vazhdueshëm të Italisë për të respektuar rregullat e Dublinit, ende në fuqi.

Këto rregulla kërkojnë që vendi i mbërritjes së parë të marrë përsëri azilkërkuesit që ndërkohë janë larguar nga territori i saj.

Që nga fillimi i vitit, Roma ka pushuar plotësisht pranimin e qoftë edhe një emigranti të vetëm që ka mbërritur në Itali dhe më pas është zhvendosur në Gjermani apo gjetkë.

Sipas një letre të shkruar më 22 dhjetor nga Ministria e Brendshme italiane, autoritetet e Berlinit u informuan se “për arsye teknike, të lidhura me kapacitetet e kufizuara pritëse, transferimet në Itali janë pezulluar përkohësisht”.

Por asgjë nuk ka ndodhur që atëherë.

Sakaq, vendimi gjerman nuk vjen i vetëm.

Franca ka njoftuar gjithashtu synimin e saj për të mbyllur kufirin midis Menton dhe Ventimiglia.

Për të justifikuar vendimin, ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin, gjatë një vizite në Menton, ka thënë se javët e fundit ka pasur një rritje 100 për qind të flukseve, “që prek Alpet Detare dhe të gjithë rajonin alpin”.

Tashmë në fund të prillit, kryeministrja Elisabeth Borne kishte vendosur të dërgonte 150 policë për të forcuar kontrollin e kufirit jugor.

Por mbi të gjitha është zgjedhja drastike e Berlinit ajo që jep masën e peshës së situatës dhe rrezikun e një krize shumë serioze që kanoset mbi Bashkimin Evropian. Ka qenë ministrja gjermane e Brendshme, Nancy Faeser, ajo që qershorin e kaluar shtyu për “mekanizmin e solidaritetit vullnetar”, i cili u angazhua për rishpërndarjen në vendet e tjera të BE-së në kohën më të shkurtër të mundshme të 10 mijë emigrantëve nga vendet e mbërritjes së parë.

Por përballë numrit të vogël të shteteve anëtare në dispozicion, objektivi u zvogëlua në 8 mijë persona.

Presioni shumë i fortë emigrator i muajve të fundit e ka shtyrë Berlinin të ndryshojë mendjen.

Çka shqetëson qeverinë nuk janë aq 3 mijë e 500 refugjatët që ka marrë përsipër të mirëpresë në kuadër të mekanizmit, por fakti që lëvizjet dytësore klandestine nga Italia vazhdojnë me një ritëm të dyfishuar.

Ministria e Brendshme ka konfirmuar se është e angazhuar për një reformë të qëndrueshme të sistemit të azilit në Evropë, me një sistem të forcuar të rishpërndarjes ligjore.

Por bllokimi i mekanizmit, i cili gjithsesi ka të bëjë me shifra modeste, sinjalizon pakënaqësi të thellë për qëndrimin e qeverisë italiane.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore