Euro 2024

Gjermania nuk fal, mposht Danimarkën dhe kalon në çerekfinale


Gjermania është ekipi i dytë, i cili kalon në çerekfinalet e Euro 2024, pasi mposhti Danimarkën me rezultatin e pastër 2 me 0, edhe pse vuajti gjati për të gjetur rrugën e rrjetës dhe peripecitë atmosferike e bënë jo më pak të vështirë këtë fitore në Signal Iduna Park.

Me një ritëm loje shumë të lartë, gjermanët e gjetën rrugën e rrjetës shpejt me Schlotterbeck pas një goditje këndi, por një faull i kryer nga Kimmich brenda zonës bëri që festa e hershme të anulohej.

Më tej, raste të njëpasnjëshme nuk u shfrytëzuan nga Havertz dhe Sane në sulm, duke i dhënë forcë edhe ekipit danez për të shpresuar dhe kundërsulmuar.

Në minutën e 35-ë, tronditet stadiumi gjigand i Dortmundit! Nuk është një gol i shënuar, por rrufetë gjatë një furtune kalimtare, të cilat çojnë në ndërprerjen e lojës për rreth 20 minuta.

Signal Iduna Park i ngjan një kampi lojërash ujore, me alternime ndërmjet rrufeve, shiut të rrëmbyeshëm dhe breshërit.

Disa tifozë gjejnë rastin të festojnë dhe këto çaste të papritura.

Me qetësimin e situatës rifillon edhe loja, sërish me gjermanët që sulmojnë, por pa finalizuar.

Pjesa e dytë ka vrull nga të dy ekipet, ku ata që shtangin janë danezët, me një gol të Andersen që kalon shpinën e Neuer. Gjermanët nuk i besojnë situatës! Por VAR ndërhyn, ka pozicion jashtë loje.

Pesë minuta më vonë Andersen sërish protagonist…për keq.

Preket topi me dorë në zonë gjatë një krosimi të Raum dhe ka penallti. E shndërron në gol Havertz, i cili nuk gabon në cepin e djathtë të portës dhe kalon Schmeikel.

Gjermania çlirohet dhe janë danezët, ata të cilët duhet të shënojnë tashmë.

Por kundërsulmi gjerman në këto pozita është vrastar dhe Musiala niset nga mesi i fushës, shërbehet, sprinton i vetëm përballë portierit dhe të vetmen gjuajtje në portë që bën në lojë, e çon në rrjetë.

Koha e mbetur është formalitet. Gjermanët arrijnë të shënojnë sërish me Wirtz, por sërish pozicion jashtë loje. Nuk ka shumë rëndësi për ta megjithatë.

Kalojnë në çerekfinale dhe presin fituesen e Spanjë-Gjeorgji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore