Lajme

Gjeorgjia mund t’i ketë shitur Rusisë të dhëna për vullnetarët gjeorgjianë në Ukrainë


Kanali televiziv opozitar gjeorgjian “Mtavari” publikoi një hetim në të cilin pretendon se Ministria e Mbrojtjes e Gjeorgjisë mund t’i ketë dhënë Rusisë informacione për ish-ushtarët që po luftojnë në Ukrainë kundër pushtuesve rusë.

Kronika e “Mtavari-t” pretendon se dosjet personale të ushtarakëve gjeorgjian kanë rënë në duart e të ashtuquajturës “Prokuroria Popullore e LPR-së”, e cila ka publikuar fotot e tyre gjoja nga ish-baza stërvitore e ushtrisë ukrainase afër Lysychansk-ut.

Në veçanti, bëhet fjalë për oficerin gjeorgjian Mikheil Kamkhadze, i cili shërben në radhët e Forcave të Armatosura të Ukrainës që nga viti 2017.

Forcat ruse publikuan dokumente me informacion të plotë për të dhe anëtarët e familjes së tij, duke përfshirë adresat dhe vendet e tyre të punës.

Kamkhadze pretendon se ai nuk ka qenë kurrë në Lysychansk dhe dosja me të dhënat e tij personale mund të ishte shitur nga dikush nga departamenti arkivor i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjeorgjisë tek shërbimet speciale ruse.

Nadym Khmaladze është një tjetër gjeorgjian, dosja personale e të cilit është në dispozicion të rusëve.

Ai pretendon se informacioni për të dhe familjen e tij, është publikuar në një nga kanalet pro-ruse Telegram në muajin mars, por ai nuk e di se nga ku.

Pas publikimit të hetimit “Mtavari”, opozita gjeorgjiane kritikoi menjëherë qeverinë, duke e akuzuar atë për “tradhti dhe kolaboracionizëm”, si dhe deklaroi ndikimin rus në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjeorgjisë.

Ministria e Mbrojtjes e Gjeorgjisë mohoi të martën të dhënat e kanalit televiziv gjeorgjian “Mtavari”.

Agjencia e quan publikimin e kanalit si “dezinformacion absurd dhe i shpërndarë me qëllim” që “synon të mashtrojë publikun, të diskreditojë strukturat qeveritare dhe të mishërojë interesa të ngushta partiake”.

Nuk dihet saktësisht se sa vullnetarë nga Gjeorgjia po luftojnë në Ukrainë kundër Rusisë, por numri i tyre llogaritet të jetë qindra.

Në veçanti luftojnë në “Legjionin Gjeorgjian”, në batalionin “Azov”, në Legjionin Ndërkombëtar etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore