Lajme

Gjendja e Navalny-t e përkeqësuar, gruaja e tij pyet gardianët: A jeni qenie njerëzore?


Gruaja e liderit të burgosur të opozitës ruse, Alexei Navalny, i bëri thirrje stafit të burgut që t’i siguronte atij ilaçet bazë, ndërsa mbështetësit paralajmëruan se jeta e tij ishte në rrezik.

Aleatët e Navalny thanë se 46-vjeçari u vendos në një qeli ndëshkimi për 15 ditë më 31 dhjetor, hera e 10-të që ishte dërguar atje brenda pesë muajve.

Kjo për arsye të tilla si larja e fytyrës në kohën e gabuar.

Navalny postoi në mediat sociale – përmes avokatëve të tij këtë javë – se autoritetet e kishin infektuar qëllimisht duke vendosur një të sëmurë pranë tij si një “armë bakteriologjike”.

Aleatët e tij thonë se ka një shpërthim gripi në koloninë e burgut ku ai po mbahet në lindje të Moskës dhe ka ethe dhe kollë të keqe.

Gruaja e tij Julia u bëri thirrje autoriteteve të burgut përmes Instagramit.

“A jeni njerëz? Ju keni prindër dhe fëmijë që ju presin kur të ktheheni nga puna. Çfarë po ndodh në kokën tuaj? Si jetoni, duke u gëzuar që infektove me dashje një burrë dhe nuk e trajtoni apo nuk i jepni asnjë ilaç?” ajo pyeti.

Mbështetësit e Navalny-t thanë se një seancë ligjore mbi kushtet e burgut të tij u zhvillua të mërkurën, megjithëse ai kishte kërkuar që të shtyhej për shkak të sëmundjes së tij. Rezultati i procedurës nuk ishte i qartë.

“Navalny duket i rraskapitur. Ai është vërtet i sëmurë dhe punonjësit e burgut po i refuzojnë ilaçet më elementare dhe të nevojshme. Ata thjesht po e vrasin ngadalë në burg”, tha aleati i tij Lyubov Sobol në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore