Lajme

Gjendet pa shenja jete një 57 vjeçar në Pejë


Një person i moshës 57 vjeçare është gjetur pa shenja jete në qytetin e Pejës, afër shtëpisë së tij.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka thënë se prokurori i rastit ka vendosur që kjo vdekje të hetohet.

“Personi është gjetur në perimetrin e shtëpisë. Vdekja është konstatuar nga Emergjenca e qytetit, ndërsa ekipet policore të hetuesisë ndodhen në vendngjarje për mbledhjen e fakteve”, ka thënë Gashi për AP.

Ai ka shtuar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë.

Deri më tani, detaje tjera për rastin në fjalë nuk dihen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore