Lajme

Gjenden në një valixhe trupat e dy fëmijëve të vrarë nga e ëma në Zelandën e Re


Në Korenë e Jugut, policia ka arrestuar një grua të akuzuar për vrasjen e dy fëmijëve të saj, të cilët u gjetën në valixhe në Zelandën e Re muajin e kaluar.

Trupat e tyre u zbuluan nga të panjohur që kishin blerë valixhet e braktisura nga një njësi magazinimi në Auckland.

Besohej se trupat ishin ruajtur për disa vite. Dhe policia koreane tha se viktimat ishin të moshës shtatë dhe dhjetë vjeç.

Sakaq, Zelanda e Re ka aplikuar për ekstradimin e gruas nga Koreja e Jugut.

Sipas informacioneve në Auckland, policia kishte bashkëpunuar ngushtë me autoritetet e Koresë së Jugut në kërkimin e tyre për gruan, pasi thanë muajin e kaluar se ajo ishte në Korenë e Jugut.

Gruaja kishte ikur në Korenë e Jugut në vitin 2018 pas vdekjes së fëmijëve. Ajo është një shtetase e Zelandës së Re 42-vjeçare me origjinë koreane.

Për arrestimin e saj ishte lëshuar një urdhër-arrest global i Interpolit.

Oficerët e arrestuan atë të enjten në një bastisje në mesnatë në një apartament në qytetin juglindor të Ulsan.

Muajin e kaluar, policia e Zelandës së Re tha se ishte në kërkim të gruas pasi arriti të identifikonte fëmijët, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.

Policia ka kërkuar që të dyshuarës t’i refuzohet lirimi me kusht përpara ekstradimit të saj në Zelandën e Re, ku ajo përballet me akuzat për vrasje.

Nga ana tjetër, mediat lokale raportuan se familja kishte jetuar në Auckland për disa vjet dhe babai i fëmijëve kishte vdekur nga kanceri para vdekjes së tyre. Ata raportuan se gjyshërit e fëmijëve ende jetojnë në Zelandën e Re.

Trupat e fëmijëve u zbuluan në fillim të gushtit pasi një familje bleu një ngarkesë me mallra, duke përfshirë valixhet, në një ankand online.

Ajo familje nuk kishte asnjë lidhje me vdekjet dhe kishte pësuar shqetësime të mëdha në periudhën pas zbulimit.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore