Lajme

Gjeloshaj: S’ka qeveri të re në Mal të Zi pa shqiptarët – Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme


Nik Gjeloshaj

Bartësi i listës “BESA për zhvillimin evropian” dhe njëherit Kryetar i Komunës së Tuzit të Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, në një intervistë për gazetën malazeze “Vijesti”, shprehu bindjen se Qeveria e re e Malit të Zi nuk mund të formohet pa pjesëmarrjen e minoriteteve dhe sidomos pa të paktën dy përfaqësues shqiptarë.

Forumi Shqiptar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi do të marrë pjesë në zgjedhje në formatin që mori pjesë edhe në zgjedhjet lokale të Tuzit, ndërsa Gjeloshaj tha se faktorizimi i shqiptarëve dhe integrimi i tyre në institucionet shtetërore është pjesë e planit gjatë angazhimit në ekzekutiv.

“Nuk ka qeveri të ardhshme pa praninë e minoriteteve, sidomos pa Forumin Shqiptar dhe të paktën dy përfaqësues nga lista jonë. Faktorizimi i shqiptarëve dhe integrimi i tyre i merituar në institucionet shtetërore është pjesë e planit tonë parësor gjatë angazhimit tonë në qeveri”, theksoi Gjeloshaj.

Kur është pyetur se cilat parti i sheh si partnerë të mundshëm të koalicionit, tha se në planin e brendshëm, gjëja e parë është pranimi i decentralizimit dhe mbyllja e plotë e pikave të basteve, kurse në planin e jashtëm, pavarësia e Kosovës duhet të jetë diçka e padiskutueshme.

“Gjithashtu, duhet të jetë e qartë se në Ukrainë është kryer agresion; pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme; marrëdhëniet e shkëlqyera me të gjitha shtetet e rajonit; si dhe promovimi i një kursi properëndimor”, tha Gjeloshaj.

Gjeloshaj ndër të tjera theksoi se do të vazhdojnë me zhvillimin dhe integrimin e shqiptarëve në institucionet më të rëndësishme shtetërore dhe lokale, ndërsa shtoi se  asnjëherë në histori shqiptarët nuk kanë qenë më të pranishëm në organet shtetërore sesa tani.

“Mund të themi me bindje të plotë se shqiptarët tashmë janë kthyer në një nga faktorët kyç të politikës shtetërore, sepse shqiptarët dhe Forumi Shqiptar janë garantuesit më të qartë të rrugës properëndimore të Malit të Zi, anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe marrëdhënieve të shkëlqyera me aleatët e NATO-s”.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Malin e Zi do të mbahen më 11 qershor. Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020. Nga 81 vende deputetësh aq sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje do ta provojnë edhe dy lista të shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore