Shqipëria

Gjëegjëza Shqipëri-BE drejt zgjidhjes?


“Kemi plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian dhe sot meritojmë një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE”.

Kjo është fjala e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në seancën e 22 shkurtit të Kuvend. Fjalë kjo, që vjen vetëm një ditë pas përmbylljes së vizitës së Komisioneres për Çështjet e Brendshme në BE, Ylva Johansson.

Kushtet e BE-së për integrimin evropian të shqiptarëve kanë qenë të kahershme. Gjithsesi, dy vitet e fundit është zhvilluar debati kryesor mbi vendosjen e 15 kushteve, nga të cilat 12 prej tyre vendimtare për këtë proces.

Në bazë të fjalës së ministres, të gjitha kushtet duhen të jenë plotësuar.

Nga ndërkombëtarët është përmendur jo pak herë progresi i Shqipërisë. Rasti i fundit, pikërisht ai i Komisioneres Johansson.

Ajo pohoi se Shqipëria ka një progres “të mrekullueshëm”. Nga ana tjetër, duhet kryer një përpjekje më e madhe për zbulimin e krimit, sipas saj.

Por cilat janë kushtet që duhet të plotësonte Shqipëria për zgjidhjen e gjëegjëzës evropiane? Mbi të gjitha, a janë realizuar ato vërtetë?

Miratimi i reformës zgjedhore ka qenë ndër pikat më kryesore. Më 5 qershor 2020, palët arritën konsensus në Këshillin Politik. Por, me rifillimin e sesionit të ri parlamentar, Qeveria bëri edhe disa ndryshime kushtetuese, të cilat nxitën kundërshtime të shumta nga opozita.

Për këtë fakt, mund të themi se kushti është plotësuar, por njëanshmërisht.

Funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese kanë qenë dy kushte të tjera themelore. Gjykata e Lartë rifilloi punë më maj 2020 pas një procesi të ashpër vetingu. Në dhjetor 2020 ndërkohë, u bë funksionale edhe ajo Kushtetuese. Puna e rregullt rifilloi në janar 2021.

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, i ka cilësuar si “sukses” bërjen aktive të të dy gjykatave. Kjo është në vazhdën e reformës në drejtësi, kush tjetër ky nga BE-ja. Sipas zërave të ndërkombëtarëve, në këto tre pika ka progres, ndaj mund të quhen të plotësuara.

Ngritja e SPAK-ut dhe goditja e krimit të organizuar janë praktikisht i njëjti kusht por i ndarë në dy kategori. Organi hetimor në fakt, në vitin e parë të punës, ka proceduar disa çështje me shumë rëndësi në Shqipëri.

Inkurajim ka pasur veçanërisht nga ambasadorja Kim. Ajo i ka cilësuar si të mira veprimet e SPAK-ut në luftën ndaj krimit të organizuar. Shpesh është dëgjuar terminologjia e kapjes së “peshqve të mëdhenj nga rrjeta e drejtësisë”.

Ligji i medias, është gjithashtu një pikë shumë e rëndësishme e kërkuar nga BE-ja. Qeveria kaloi një ligj mes shumë kundërshtive. Kryesisht, ato bazohen në plotfuqishmërinë që merrte Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe sanksionet e rënda.

I ashtuquajtur si ligj anti-shpifje, frika e grupeve të interesit ishte posaçërisht censurimi tërësor i medias. Çështja u çua në Venecia nga presidenti Ilir Meta. Komisioni mbajti qëndrim mbi çështjen duke bërë Qeverinë të rishikonte modelin e projektligjit.

Ligji për mediat audiovizive, edhe sot është në fuqi, por pa zbatueshmëri për shkak të rekomandimeve të Venecias. Qeveria është tërhequr momentalisht nga problematika.

Kushte të tjera dhe qëndrimi i BE-së

Ndër kushtet e tjera të kërkuara mund të përmenden disa të tjera shumë me rëndësi.

Ulja e numrit të azilkërkuesve është kërkuar prej vitesh nga unioni. Shqipëria ka numrin më të lartë të azilkërkuesve në rajon. Vendi ynë madje, është i krahasueshëm edhe me vende të botës së tretë. Ky problem ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare, pasi kërkesat për azil, edhe pse janë ulur, mbeten të larta.

Ligjshmëria e zgjedhjeve lokale është një pikë tjetër. Mbi këtë gjithsesi, mund të themi se është plotësuar. Vetë opozita nuk mban më asnjë qëndrim për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Kryebashkiakët janë prej dy vitesh aktivë dhe po punojnë.

Ndër kriteret e fundit, është ai i zbatimit të reformës zgjedhore. Ky gjithsesi mbetet për t’u parë deri për zgjedhjet e 25 prillit, pasi është proces më afatgjatë.

Më 13 janar 2021, Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, deklaroi se “negociatat me Shqipërinë do të hapen brenda gjashtë muajve të parë të vitit”.

Kjo tregon një qasje optimiste të shteteve anëtare mbi nisjen e negociatave.

Njejtë me Shqipërinë është edhe rasti i Maqedonisë së Veriut, por pa kushte. Maqedonasit janë në pritje të hapjes së negociatave, por një veto nga Bullgaria po e bllokon procesin.

Është bërë e ditur disa herë më parë, se rrugët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, janë të lidhura. Nuk kuptohet gjithsesi nëse kjo veto e Bullgarisë, do të ketë ndikim edhe në negociatat shqiptare.

Pavarësisht gjithçkaje, edhe nëse kushtet nuk janë realizuar plotësisht, pala evropiane është shprehur optimiste për fillimin zyrtar të rrugëtimit shqiptar drejt BE-së.

Gjendemi dy muaj brenda vitit 2021. Në katër të ardhshmit, do të kuptojmë nëse gjëegjëza Shqipëri-BE mund të cilësohet e zgjidhur apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore