Lajme

Giaufret: Kosova nuk është “alfa dhe omega” e anëtarësimit të Serbisë në BE


Emanuele Giaufret

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, Emanuele Giaufret, në një intervisitë për rrjetin evropian të lajmeve “Euronews Serbia” në gjuhën serbe, ka thënë se Kosova nuk është “alfa dhe omega” e integrimeve evropiane të Serbisë, megjithëse normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së është njëra nga dy shtyllat më të rëndësishme.

Giaufret ka theksuar se shtylla e parë drejt integrimeve evropiane është shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe pluralizmi mediatik, ndërsa shtylla e dytë në këtë proces është në mënyrë të pashmangshme edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – pjesë e pandashme e paketës së integrimeve.

“E rëndësishme është edhe njëra edhe tjetra, ne nuk e kemi lënë anash shtetin e së drejtës, përkundrazi është një çështje e rëndësishme, por edhe normalizimi i marrëdhënieve, sepse duam të gjejmë një rrugëdalje nga kjo situatë për t’ua bërë më të lehtë jetën njerëzve. Dhe për këtë ne kemi nevojë për normalizimin – kështu që është pjesë e paketës”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, veçanërisht Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementimit (Ohër, 18 mars), përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Ne duhet të shtyjmë përpara zbatimin e detyrimeve që nuk janë zbatuar deri më tani dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një nga ato çështje. Ne kemi mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe SHBA -të janë plotësisht mbështetëse në këtë proces. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në zbatimin e gjithçkaje të rënë dakord”, ka nënvizuar ai.

Zyrtarë të BE-së kanë bërë të qartë se fondet për vendet e Ballkanit Perëndimor do të varen ekskluzivisht nga zbatimi i reformave në procesin e integrimeve evropiane, por edhe përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore