Lajme

Gëzim Kasapolli e dorëzon detyrën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci


Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, ka njoftuar se pas katër vjetësh punë si ambasador në shtetin kroat tashmë e ka dorëzuar këtë detyrë.

Kështu ka treguar Kasapolli përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Pas katër vjetëve të shërbimit tim në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb të Kroacisë, unë sot dorëzova detyrën e ambasadorit. Ishte nder dhe privilegj të shërbej dhe të përfaqësoj shtetin tonë në Kroacinë mike”, ka shkruar Kasapolli.

Përveç Kasapollit, edhe Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka njoftuar se e ka përfunduar misionin si ambasador i këtij shteti. Por, siç ka deklaruar dhe vetë Abazi, nuk kishte kujt t’ia dorëzonte postin meqë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë nuk i ka dorëzuar e as emëruar ende diplomatët e rinj që do ta përfaqësojnë Kosovën.

Ai edhe pse ka kërkuar instruksione se si të veprojë nga MPJD-ja, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kabineti i kësaj ministrie madje as nga ministrja Donika Gërvalla.

“Prita deri në ora 17:00 minuta me kohën e Australisë. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Nuk u bë ky akt institucional, për shkak se qeveria edhe pas tre muajve dështoi të sjellë një diplomat dhe aktualisht ambasada mbeti pas asnjë diplomat të vetëm”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në Facebook.

“E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka sikurse ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada. Qoftë edhe për ca javë, Ambasada de facto është e mbyllur, pasi që aty është vetëm stafi teknik dhe asnjë komunikim zyrtar në emër të ambasadës nuk mund të bëhet”, shtoi ai.

Mirëpo, ende nuk dihet kush do të emërohet në “shtëpitë diplomatike të Kosovës”, të vendosura në shtetet mike, ku aktualisht janë duke shërbyer “diplomatët në detyrë”.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, në maj të vitit 2021 pati marrë vendimin për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politikë, kthimi i të cilëve pati theksuar se do të bëhet më 30 gusht të po të njëjtit vit.

“Pas datës 30 gusht do të jetë ambasadori i ri aty”, kishte deklaruar Gërvalla.

Megjithatë, MPJD përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka treguar se ky proces nuk ka përfunduar, por është drejt përmbylljes.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në fazën e finale të përmbylljes së këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e Divizionit për komunikim publik të MPJD-së.

“Të gjitha detajet lidhur me emërimin e ambasadorëve do të bëhen të ditura për opinionin brenda pak ditësh”.

Hulumtuesi nga organizata jo qeveritare Demokracia Plus, Emir Abrashi, për Albanian Post ka thënë se vonesat e tilla “padyshim që e dëmtojnë Kosovën”, sidomos siç thotë Abrashi, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në skadimin e moratoriumit të imponuar nga Marrëveshja e Uashingtonit – moratorium ky i cili ia pamundësonte Serbisë vazhdimin e fushatës për ç’ njohje ndaj Kosovës.

“Kosova tashmë është shumë e vonuar në emërimin e Ambasadorëve të rinj, dhe ulja e nivelit të përfaqësimit në nivel të Ngarkuarish me Punë, sigurisht se do ta penalizojë Kosovën në zhvillimin e marrëdhënieve me aleatët tanë. Por, përtej faktit që është e vonuar, kjo tregon edhe papjekurinë e diplomacisë kosovare, si dhe qasjen tonë jo-serioze krahas marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka thënë Abrashi për Albanian Post.

Për mos emërimin e ambasadorëve të rinj nga MPJD ka reaguar ish ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, e cila këtë e ka quajtur si “papërgjegjësi totale ndaj shtetit”.

“Nga sot, shumica e Ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullar. Pa shef misioni, dhe pa të ngarkuar me punë. Ka edhe ambasada të cilave u është vënë dryni. Kjo është suspendim i politikës së jashtme”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në anën tjetër edhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ky është një dështim në politikën e jashtme”.

“Përkundër faktit që e kam paralajmëruar disa herë – si në Kuvend, si në platforma të tjera – se Ambasada jonë në Australi do të duhet të mbyllet më 31 gusht, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Dhe ja ku jemi. Nga sot, me një mision de facto të mbyllur të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore