Lajme

Gërvalla thotë se Gani Jakupi s’paguhet 7500 euro


Donika Gervalla

“Nuk është e vërtetë që Gani Jakupi paguhet 7 mijë e 500 euro”, ka thënë Donika Gërvalla.

Këto komente, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i bëri në një intervistë për “Kallxo.com”, derisa foli për pagën marramendëse të Gani Jakupit, i cili është angazhuar nga MPJD-ja në zyrën e ambasadorit të Kosovës në Bruksel të Belgjikës.

Mirëpo, përkundër publikimit të kontratës, Gërvalla mohon faktin se Jakupi paguhet plotë 7 mijë e 500 euro.

“Për t’i mëshuar dikujt tjetër, ekspozohen njerëzit që asnjë të keqe nuk i kanë bërë vendit”, tha Gërvalla, derisa shtoi se Jakupi “është angazhuar në kuadër të një projekti, me disa detyra specifike të veçanta”, duke refuzuar që të tregojë se për çfarë detyra konkretisht është i angazhuar ai.

Gani Jakupi

“Unë nuk mund të flasë për detyrat e tij, sepse në momentin që unë flas për detyrat e tij… nuk merr rrogë ai, ju keni punuar me shoqërinë civile ju keni punuar pafundësisht me projekte dhe ju e dini dallimin e madh”, tentoi të argumentonte ajo.

Sipas kryediplomates kosovare, Gani Jakupi “është paraqitur në publik si këshilltar i Gërvallës, që merr pagë 7 mijë e 500 euro, as nuk merr pagë, e as nuk është këshilltar i Gërvallës”.

“Gani Jakupi si një pjesë e madhe e njerëzve të tjerë që jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë një qasje të caktuar ku mund të ndikojnë në qarqe të caktuara, që mund të ndihmojnë më shumë seç mund të ndihmojnë e mirëfillta diplomatike, ka marrë përsipër disa detyra shumë të vështira”, shtoi.

Ajo vazhdimisht refuzoi që të flasë për detyrat e tij, madje theksoi se kur u publikua lajmi për kontratën e tij, sipas saj, u keqpërdor figura e Jakupit.

“Po s’mund të flas për detyrat e tij, Kur u publikua pseudo-skandali me Gani Jakupin, u përdor personaliteti i tij, u përdor projekti që ka për ta shkatërruar projektin sepse disa projekte të caktuara bëhen në suaza të caktuara”.

Gërvalla e ambasadori Bajrami angazhojnë këshilltar me rrogë 7 mijë e 500 euro në muaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore