Kosova

Gërvalla: Shumë i vështirë vazhdimi i dialogut – Hill: Kush devijon nga dialogu devijon nga politikat tona


Donika Gërvalla dhe Christopher Hill

Vetëm një ditë pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha se “ata që devijojnë nga dialogu rrezikojnë të devijojnë nga politika jonë”, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, u përkujdes të potencoi se për Kosovën momentalisht “është shumë e vështirë vazhdimi i procesit të dialogut”.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, top-diplomati amerikan kritikoi Kosovën për situatën e krijuar në Veri të vendit dhe lavdëroi Serbinë për gatishmërinë e saj në raport me procesin e dialogut.

Në vlerësimin e tij Serbia po “punon shumë për dialogun” dhe po vepron mirë “duke iu përmbajtur këtij procesi”.

Ndryshe nga Hill, një këndvështrim krejt tjetër paraqiti të premten kryediplomatja kosovare, e cila tha se në këtë fazë Kosova është “për një rishikim në tërësi të procesit të dialogut” në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo për shkak të qasjes destruktive të Beogradit zyrtar.

“Me këtë qasje dhe me bllokimin e kufijve të Kosovës me një qasje vazhdimisht armiqësore me një gjuhë që nxit vetëm urrejtje e konflikte do të jetë shumë e vështirë vazhdimi i procesit në Bruksel, prandaj duhet të presim derisa të vijnë institucionet e reja, të vijnë bartësit e rinj të funksioneve të reja me shpresën se do të kenë një vizione më të qartë”, tha ajo.

Kosova aktualisht, sipas kryediplomates, po pret formimin e Komisionit të ri të Bashkimit Evropian meqë për momentin “është shumë i vështirë vazhdimi i procesit të dialogut”.

Megjithatë Hill, të enjten, në veçanti u përkujdes të nënvizoi faktin se SHBA-të “janë të pakënaqur kur dikush devijon nga dialogu ose ndërmerr hapa të njëanshme”.

“Ata që devijojnë nga dialogu rrezikojnë të devijojnë nga politika jonë. Ajo që mund të them është se Serbia ka punuar shumë për këtë. Serbia ka bërë mirë duke iu përmbajtur dialogut dhe unë vërtet do ta inkurajoja Serbinë që të vazhdojë me një gjë të tillë”, ka thënë Hill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore