Kosova

Gërvalla pret në aeroport homologen japoneze: Vizitë historike e hap i rëndësishëm në fuqizimin e marrëdhënieve


Yoko Kamikawa dhe Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka pritur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës homologen e saj nga Japonia, Yoko Kamikawa.

Lajmi u bë i ditur nga vet Gërvalla, përmes një postimi në Facebook, ku vizitën e kryediplomates japoneze në Kosovë e cilësoi si historike.

“Kjo vizitë historike shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e marrëdhënieve të forta ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Japonisë dhe një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të ndërtuar ura të reja miqësie dhe partneriteti mes dy vendeve tona”, shkroi shefja e diplomacisë kosovare.

Ndryshe, Kamikawa, do të qëndrojë për vizitë zyrtare të premten në Kosovë, ku pritet të takohet me homologen e saj kosovare, Donika Gërvalla, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e saj në Kosovë është në kuadër të një turne në rajon.

Yoko, përveç se Kosovën e ka vizituar Serbinë dhe do të vizitojë edhe Bosnje e Hercegovinën.

Turneu i saj në Ballkanin Perëndimor ka nisur më 15 korrik dhe do të përfundojë më 21 korrik.

Para vizitës, kryediplomatja japoneze, nëpërmjet një mesazhi, është shprehur e kënaqur që mund ta vizitojë Kosovën si Ministre e Jashtme e Japonisë.

Ajo ka theksuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Ne dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë vizitë si mundësi për të riafirmuar miqësinë dhe bashkëpunimin dypalësh që po thellohet vazhdimisht ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, dhe të shfrytëzojmë rastin për ta zhvilluar dhe forcuar më tej atë në të ardhmen”, thuhet në mesazhin e Yokos.

Yoko ka thënë se ky viti historik në marrëdhëniet dypalëshe do të shënohet nga ngjarje të ndryshme kulturore të organizuara nga Ambasada e Japonisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore