Kosova

Gërvalla, presidentit të Komitetit të Ministrave të KiE-së: I kemi plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim


Donika Gërvalla dhe Gabrielius Landsbergis

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të martën në Strasburg të Francës, ka takuar presidentin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Gabrielius Landsbergis, me ç’rast tema kryesore e diskutuar ka qenë përmbyllja e procesit të anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla, e shoqëruar nga Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Ambasadori Lulzim Hiseni e uroi Ministrin Landsbergis për marrjen e Presidencës së Këshillit të Evropës dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen që Lituania i ka dhënë Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Gjatë takimit, siç thuhet në komunikatë, kryediplomatja ka potencuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE, gjë e cila është konfirmuar edhe nga Asambleja Parlamentare e KiE-së.

Gërvalla, gjatë takimit, ka ofruar edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me “qëllim që sa më parë të mund të mblidhet Komiteti i Ministrave për të marrë vendimin historik për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore