Kosova

Gërvalla optimiste se Kosova këtë vit anëtarësohet në Këshill të Evropës


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, duke folur në një panel diskutimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut nën patronazhin e Qeverisë së Kroacisë të shtunën, u shpreh optimiste se Kosova këtë vit do të anëtarësohet në Këshill të Evropës, derisa theksoi se ka marrë garanci të forta nga presidenca lituaneze e Komitetit të Ministrave.

“Ne jemi duke punuar fort së bashku me ministrat dhe ambasadorët e Këshillit të Evropës dhe shpresojmë që këtë vit të bëhemi anëtarë të plotë… Nuk është vetëm Lituania, por shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës janë pro anëtarësimit të Kosovës. Dhe, pa dashur të flas për detaje, mund t’ju siguroj se Kosova do jetë pjesë e Këshillit të Evropës”, shtoi ajo.

Autoritetet e Kosovës aplikuan për anëtarësim në vitin 2022. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik mbetet në vendndalim për shkak të zhvillimeve politike. Kërkesa e Kosovës nuk u mor parasysh muajin e kaluar, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca e Italia, kushtëzuan Kosovën të bëjë hapa konkretë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë Parlamentare për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Megjithatë, rruga e Kosovës devoji krejt në fund, kryesisht për shkak të kushtëzimit franko-gjerman, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme të shtyhet për të paktën një vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore