Lajme

Gërvalla: Një votim i suksesshëm të martën, do të hapte rrugën për hapin final në Këshillin e Evropës


Foto nga: Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka thënë se nëse votohet rekomandimi për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës të martën, do të hapet rruga për hapin final.

“Një votim i suksesshëm nesër pasdite do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit”.

Gërvalla, përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’ me zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti dhe ambasadorin Lulzim Hiseni, kanë thënë se kanë planifikuar takimet e fundit me delegacione dhe komitete të Këshillit të Evropës.

“Nesër, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, voton rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në KiE”.

“Kosova është e përgatitur dhe plotëson tashmë, siç e ka konfirmuar edhe raporti i Këshillit të Evropës, i paraqitur më 27 mars nga Dora Bakojanis, edhe zyrtarisht të gjitha kushtet për anëtarësim të plotë”.

Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.

Të mërkurën e 27 marsit, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Nga 36 përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që morën pjesë, 31 votuan për, 4 ishin kundër miratimit të opinionit ndërsa një përfaqësues abstenoi.

Dy përfaqësues të Serbisë votuan kundër Kosovës. Për mos miratimin e opinionit votoi kundër edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Bosnje e Hercegovinës.

Abstenues ishte përfaqësuesi i Greqisë në KiE.

Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare e cila pritet të mblidhet më 18 prill.

Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.

Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.

Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim

Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore