Gërvalla nga Forumi i Antalisë: Në takimet me nivelin e lartë do të kërkojë ruajtjen e stabilitetit në Kosovë

SHFLETO

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

 

Altina Marmullaku
01.03.2024 22:40
Loading Icons...

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se në Forumin që po mbahet në Antali, do të kërkojë nga nivelet e larta ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë.

Gërvalla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka potencuar se do të diskutoj edhe për sfidat urgjente të sigurisë.

“Në Antali do të diskutojmë për disa nga sfidat më urgjente të sigurisë së sotme dhe duke eksploruar zgjidhje paqësore gjatë kësaj periudhe të trazuar”.

“Në takimet e nivelit të lartë do të theksoj nevojën për veprim për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ajo.

Osmani, në Forumin Diplomatik të Antalisë, është shprehur se pavarësisht se Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, kanë zgjedhur dialogun si zgjidhje paqësore.

Osmani në fjalimin e saj, ka thënë se kjo ka qenë zgjidhja e vetme për të ecur përpara.

“Kemi tejkaluar pushtimin shekullor, kemi qenë viktima të gjenocidit, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, qindra mijëra gra të përdhunuara. Gjithsesi, plagë të hapura”.

“Përkundër kësaj dhimbje ne kemi zgjedhur dialogun si mënyra e vetme për të ecur përpara. Kemi zgjedhur zgjidhje paqësore si e vetmja rrugë edhe nga përvoja personale dhe nga përvoja e secilit person në shtetin tonë, mund të mësojmë se sa vështirë është të zgjedhësh paqen edhe në kohë të luftës”, ka thënë Osmani.

Osmani dhe Gërvalla, këtë të premte kanë udhëtuar për në Turqi, pasi po marrin pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetëm do t’i zhvillojë punimet prej 1deri më 3 mars.