Lajme

Osmani në Forumin e Antalisë: Zgjodhëm dialogun si mënyra e vetme paqësore


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Diplomatik të Antalisë, është shprehur se pavarësisht se Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, kanë zgjedhur dialogun si zgjidhje paqësore.

Osmani në fjalimin e saj, ka thënë se kjo ka qenë zgjidhja e vetme për të ecur përpara.

“Kemi tejkaluar pushtimin shekullor, kemi qenë viktima të gjenocidit, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, qindra mijëra gra të përdhunuara. Gjithsesi, plagë të hapura”.

“Përkundër kësaj dhimbje ne kemi zgjedhur dialogun si mënyra e vetme për të ecur përpara. Kemi zgjedhur zgjidhje paqësore si e vetmja rrugë edhe nga përvoja personale dhe nga përvoja e secilit person në shtetin tonë, mund të mësojmë se sa vështirë është të zgjedhësh paqen edhe në kohë të luftës”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje potencoi se zgjidhje të vështira ishin bërë edhe në vitet e 90-ta nga Kosova.

“Për shembull në vitet e 90-ta, kur ishim viktima të gjenocidit, populli ynë zgjodhi edhe marrëveshjen e Rambujesë, pasi ishte zgjidhje paqësore që do të ndalte luftën, u desh t’i themi ‘po’, sepse e hapte rrugën për aleanca”.

Forumin Diplomatik i Antalisë.

Ndërsa, ka përmendur edhe rëndësinë e partneritetit me të tjerët.

“Në kohë trazirash, tensionesh, është shumë mirë të dish se kush qëndron prapa teje, fuqia jonë në ditë të mira dhe të këqija”.

Osmani, këtë të premte ka udhëtuar për në Turqi, pasi që do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenca, derisa kanë njoftuar se ftesa i është bërë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: ‘Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash’”, thuhet në njoftim.

Gjatë punimeve të Forumit, Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrës të forumit.

Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetëm do t’i zhvillojë punimet prej 1deri më 3 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore