Lajme

Gërvalla në Romë me krerët e diplomacisë së Ballkanit Perëndimor


Donika Gërvalla

Krerët e diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën (5 shkurt) në kryeqytetin italian për të diskutuar mbi rrugëtimin e gjashtë vendeve ballkanike drejt integrimeve evropiane, ku një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian (BE) në dritën e “fërshëllimes” së zgjerimit.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, do të jetë nikoqir i takimit që do të zhvillohet në Romë, ndërsa në këtë takim pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, në përpjekje për të nxitur dhe përshpejtur procesin e integrimeve evropiane.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, njoftoi se do të marrë pjesë në samitin e kryediplomatëve rajonalë dhe “Miqve të Ballkanit Perëndimor” nën patronazhin e Qeverisë së Italisë.

“Mirë të jem në Romë për një tjetër takim ministror të Miqve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë. Gjithashtu mezi pres të përfshihem në disa diskutime dypalëshe me homologun tim dhe institucionet italiane”, shkroi ajo.

Antonio Tajani

Qeveria e Italisë prej kohësh synon të mbështesë stabilitetin dhe ekonominë rajonale, por edhe forcimin e dialogut për çështje të politikës së jashtme, deri në anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian. Ky synim optimist erdhi në formën e një dokumenti të nënshkruar nga Italia, Austria, Kroacia, Çekia, Greqia, Sllovakia dhe Sllovenia.

Ballkani Perëndimor është vlerësuar një ndër prioritetet kryesore të Italisë, posaçërisht në aspektin e sigurisë, stabilitetit dhe tregtisë. Në këtë drejtim, administrata italiane synon të luajë një rol vendimtar në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke ndjekur një politikë aktive ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike dhe paqëndrueshmëria.

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Ohër, 18 mars 2023).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore