Kosova

Gërvalla në Kroaci për Forumin e Dubrovnikut


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, ka udhëtuar për në Kroaci, ku do të marrë pjesë në Forumin Dubrovnikut, i cili mbledh rreth vetës liderë, diplomatë e ekspertë nga rajoni. E shefja e diplomacisë kosovare do të zhvillojë edhe takime bilaterale.

Në komunikatën e MPJD-së thuhet se kryediplomatja do të paraqesë qëndrimet e Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit, si dhe do të ndajë përvojën e vendit rreth proceseve integruese dhe reformat në sundimin e ligjit, ngritjen e standardeve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik.

“Ajo do të theksojë gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit multilateral për tejkalimin e sfidave globale. Ministrja Gërvalla do të zhvillojë edhe takime bilaterale me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërliç-Radman, do të jetë nikoqir i forumit të përvjetshëm në Dubrovnik, ndërsa në këtë forum pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve të rajonit, por edhe Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ku pritet të diskutohet kryesisht rreth sfidave aktuale të politikës ndërkombëtare.

Ndryshe, shefja e diplomacisë kosovare, vitin e kaluar, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, deklaroi se BE-ja është vetëm një “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë pa garancinë e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Kjo deklaratë aspak diplomatike nxiti reagime të ashpra në Kosovë dhe më gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore