Kosova

Gërvalla merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Bruksel


Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Bruksel për të marrë pjesë në një drekë pune, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel për të marrë pjesë në një drekë pune, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri z. Josep Borrell”.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit për media në të cilin thuhet se në takim do të marrin pjesë 27 ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, bashkë me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor si dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.

“Në takim, tema diskutimi do të jenë çështjet e zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe ndikimi i tyre në politikat e sigurisë së shteteve të BE-së dhe rajonit tonë”, thuhet në njoftim.

Ministrat e Jashtëm të G7.

Ndryshe, ministrat e Jashtëm të G7 – Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, SHBA-së dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, janë mbledhur në Gjermani dhe përmes një komunikate për media kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por edhe që t’i respektojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Po ashtu u kërkohet “të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila do të mundësojë realizimin e perspektivave të tyre përkatëse evropiane”.

Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që të kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe përfitojnë të gjithë njerëzit në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore