Kosova

Gërvalla e quan “gënjeshtar” redaktorin që zbardhi detaje rreth skandalit në RTK: Artikullin ia çova unë, por s’i kam thënë bëje


Rilind Gërvalla

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla, në një përgjigje për “Kallxo” të enjten, ka pohuar se vegëzën e artikullit skandaloz të platformës boshnjake “Slobodna Bosna” e ka nisur vetë në adresën e redaktorit të lajmeve, por ka mohuar të këtë ushtruar presion për përkthimin dhe ripublikimin e së njëjtës në edicionin qendror të lajmeve në RTK.

“Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekond që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjeherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njejtën gjë”.

Përgjigja e Gërvallës vjen pas reagimit publik të redaktorit të lajmeve qendrore, Jeton Musliu, i cili, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, përveç distancimit nga publikimi i artikullit kontravers të mediumit boshnjak në televizionin publik, ka treguar se nga kush ka ardhur presioni për transmetimin e artikullit se gjoja Serbia kontrollon dy media kosovare.

Vendimin redaktorial të RTK-së e kanë dënuar gazetarë të shumtë në Kosovë. Gjithashtu, disa gazetarë dhe redaktorë të RTK-së janë distancuar. Në artikullin skandaloz të “Slobodna Bosna” përmenden planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për të rritur ndikimin në Kosovë nëpërmjet kontrollit të dy mediave kosovare “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Redaktori i RTK-së tregon për terrorin që përjetoi deri në publikimin e artikullit skandaloz kundër mediave në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore